Flash News

Bota

Zotimi i Biden: SHBA nuk do t'i njohë kurrë përpjekjet e Rusisë për aneksim

Zotimi i Biden: SHBA nuk do t'i njohë kurrë përpjekjet e

Shtetet e Bashkuara "kurrë, kurrë, kurrë" nuk do ta njohin përpjekjen e Rusisë për të aneksuar territorin në Ukrainë, tha presidenti Joe Biden.

Deklarata erdhi teksa pritet që sot Vladimir Putin të deklarojë se katër rajone të Ukrainës po i bashkohen Rusisë.

Kremlini thotë se Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson votuan për t'u bashkuar me Rusinë në referendumet e fundit.

Por Ukraina dhe Perëndimi i kanë hedhur poshtë votimet, duke e konsideruar një mashtrim.

SHBA do të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë si rezultat i aneksimit.

"Shtetet e Bashkuara, dua të jem shumë i qartë për këtë, kurrë, kurrë, kurrë nuk do t'i njohin pretendimet e Rusisë mbi territorin sovran të Ukrainës," tha Biden.

Të enjten, presidenti rus nënshkroi dy dekrete që njohin Zaporizhzhia dhe Kherson si territore të pavarura, duke hapur rrugën për aneksimin e tyre.

Dokumentet, të shpërndara në mediat shtetërore ruse, thonë se pavarësia e dy rajoneve po njihet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe "të sanksionuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara".

Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres ka thënë se çdo aneksim i territorit të një vendi bazuar në përdorimin e forcës shkel Kartën e OKB-së dhe ligjin ndërkombëtar.

Është një “përshkallëzim i rrezikshëm” që “nuk ka vend në botën moderne”, tha ai.

Turqia, së bashku me OKB-në, ka ndërmjetësuar në negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës në të kaluarën - me sukses në arritjen e një marrëveshjeje për të rifilluar eksportet e grurit përmes Detit të Zi.

Burimi: BBC

 

Të fundit