Flash News

Bota

Zvicra dhe Austria i ankohen Komisionit Evropian për Serbinë: Është kthyer në portën e Ballkanit për refugjatët, urdhërohet nga Rusia

Zvicra dhe Austria i ankohen Komisionit Evropian për Serbinë:

Nën hijen e luftës në Ukrainë, numri i azilkërkuesve në Zvicër dhe Austri është rritur ndjeshëm javët e fundit. Gjithnjë e më shumë emigrantë të paligjshëm po mbërrijnë përmes Ballkanit Perëndimor, shkruajnë mediat zvicerane. Si Austria ashtu edhe Zvicra nuk janë vende të preferuara të destinacionit, por shërbejnë si stacione tranziti për refugjatët.

Prandaj, të dy vendet kanë një interes të përbashkët për të ndaluar këto flukse migracioni. Këshilltarja Federale Karin Keller-Sutter dhe homologu i saj austriak, Ministri i Brendshëm Gerhard Karner, ranë dakord për një plan të përbashkët veprimi në një takim në Cyrih të mërkurën, pasi në gusht, Austria regjistroi numrin më të madh të azilkërkuesve në BE.

Të dy vendet jo vetëm kanë interesa të përbashkëta, por së bashku kanë identifikuar edhe portën më të rëndësishme për një pjesë të madhe të refugjatëve. Kjo është Serbia, e cila me politikën e vizave po shkakton trazira të mëdha në rajon. Serbia ka heqje të përhershme të vizave për shtetasit e Indisë, Tunizisë, Kubës, Burundit dhe Kinës. Disa nga këta njerëz që hyjnë në Serbi nuk kthehen më në vendet e tyre, por udhëtojnë për në Austri nëpërmjet Hungarisë me ndihmën e kontrabandistëve. Sipas Karner, për këtë ata paguajnë nga 3000 deri në 7000 euro. Refugjatët nga këto vende praktikisht nuk kanë asnjë shans për azil as në Zvicër e as në Austri.

Prandaj, elementi më i rëndësishëm i planit të veprimit janë nismat e përbashkëta të politikave të migracionit në nivel evropian. Zvicra dhe Austria, së bashku me Gjermaninë, Kroacinë dhe Slloveninë, kanë ndërhyrë në Komisionin Evropian. Në një letër, asaj i kërkohet të bëjë presion ndaj Serbisë dhe të arrijë një rregullim të politikës së vizave të vendeve të Ballkanit Perëndimor. "

Lidhur me arsyet pse Serbia po jep kaq lirshëm viza, ministri i Drejtësisë shpjegoi me kujdes: "Lufta e Ukrainës mund të çojë në përfshirjen e interesave të ndryshme në politikën e vizave".

Së fundmi, Keller-Sutter është shprehur edhe më qartë në intervistat me “Echo der Zeit” dhe gazetat e Tamedia Group. Ajo kishte thënë se vendet e Evropës Lindore kishin shprehur dyshime se Rusia po bashkëpunonte me aleatin tradicional Serbinë për të destabilizuar Evropën Perëndimore përmes një numri në rritje të emigrantëve. Megjithatë, kjo nuk mund të kontrollohet.

 

Të fundit