Flash News

KRYESORE

Braçe në sallën e gjyqit për Liridon Pulën: Prokurori, shantazh kriminal mbi nëpunësin e shtetit; Pisllëku i instaluar në drejtësi

Braçe në sallën e gjyqit për Liridon Pulën:

Zv.kryeministri Erion Braçe e ka cilësuar të stisur akuzën e ngritur ndaj ish drejtorit të Kadastrës në Durrës, Liridon Pula i lënë në burg sot nga gjykata e Durrësit.

Teksa ndoqi nga afër procesin në sallën e gjyqit, Braçe tha për mediat se prokurori i çështjes, pra Arian Ndoja është në shkelje kushtetuese, pasi  akuza e ngritur ndaj Pulës nuk është e provuar dhe se favorizon kërcënuesit që i kërkonin nëpunësit të legalizojë ‘pallate monstruoze’, siç i quajti nr.2.

“Prokuroria ka ngritur një akuzë kundrejt drejtuesit të zyrës së re, të Kadastrës, duhet theksuar se nuk bëhet fjalë për Hipotekën, nga ajo që dëgjova në gjyq, por i referohet një institucioni të ri bazuar funksionimi i tij mbi një ligj tjetër të ndryshëm nga dy ligjet e institucionet e mëparshme. Pa diskutim, më takonte të isha këtu për të parë akuzën që ka ngritur prokurori ndaj një punonjësi të shtetit shqiptar dhe qëndrimin e këtij të fundit për akuzën.

Ky është akti final i një historie të gjatë gati një mujore, presioni, shantazhi kriminal mbi punonjësin që sot ishte me pranga në sallën e gjyqit. Presioni kriminal që nuk është bërë për çështjen në fjalë për të cilën është akuzuar, por për pallate monstruoze që duhet të legalizohen dhe të regjistrohen në këtë qytet, është bërë jo për çështjen këtu, por presion kriminal në mënyrë të qartë për disa vjedhje të tjera, të mëdha shumë të rënda, në kohë të ndryshme në zonën e Gjirit të Lalëzit, duke ardhur në Durrës.

Ai punonjësi i shtetit atje sipër, pavarësisht shantazhit në të cilin ka qenë, ka refuzuar të bëhet pjesë e këtyre veprimeve kriminale dhe unë dyshoj shumë pas asaj që dëgjova përreth një orë e gjysmë që e gjithë akuza e ngritur me të, jo vetëm që është e paprovuar me fakte, por ka edhe lajthitje marramendëse që u referohen rregulloreve që sot nuk janë në fuqi dhe që i kërkojnë drejtuesit të Kadastrës të sillet si drejtor i institucioneve që kanë qenë më parë.

Është e dukshme. Të akuzosh për shpërdorim detyre nëpunësin e shtetit, duhet të provosh që vepra që ka konsumuar është kryer me dashje, dhe po ashtu që vepra ka sjellë dëme, publike, pra shtetit, private, qytetarit.

Në rastin në fjalë, duhej të ishte e provuar që drejtuesi i Kadastrës në Durrës duhej të kishte sjellë dëme të qarta mbi shtetin, që se pretendon as prokurori, dhe dëme mbi privatët. Kompanitë që ka bërë ndërtime në Lalëz ose partnerët e saj që janë pronarët e truallit, nga asnjëri nuk ka asnjë pretendim mbi veprimet që ka bërë regjistruesi apo të tjerë brenda zyrës së regjistrimit të Kadastrës. Kjo tregon që çdo gjë në gjykimin tim personal, është e stisur dhe prokurori dhe gjykatësja në fjalë do duhet të vërtetojnë në Apel ato që edhe pasi u vu në diskutim, u përgjigjën prokurori tha: Ne deri në këtë moment kemi këto, nëse ju do sillni prova të tjera ne mund të ndryshojmë qëndrim. Sipas Kushtetutës, nuk është i akuzuari që sjell prova, por prokurori që duhet të vërtetojë fajësinë.  E kuptoni se në ç'shkelje të rëndë kushtetuese është ky prokuror? ”, tha Braçe.

I pyetur nëse është ky prokurori për të cilin foli dje kryeministri Edi Rama se mbështet një grup kriminal në qytetin bregdetar, Braçe tha se “për këtë duhet pyetur zoti Rama. Kam qenë në dijeni të kërcënimit të këtij drejtuesi dhe të tjerëve në Kadastër jo për këtë çështje, për të tjera që kjo qeveri i ka bllokuar në Durrës, duke mbrojtur interesin publik. Ka forca të tjera që janë kundër këtij vullneti dhe cdo nëpunësi shteti që kryen detyrën në përputhje me ligjin. reforma në Drejtësi duhet të marrë para këtë pisllëk zhuli dhe krimi i instaluar në sistemin e drejtësisë. Janë ca njerëz që skano kaluar në vetting dhe duhet të kapërcejnë cdo lloj radhe”, u shpreh Braçe.

Të fundit