Flash News

KRYESORE

"Brandi", heroi me katër putra i policisë shqiptare për të cilin nuk u fol në media; zbuloi të gjallët nën rrënoja

Këto ditë, është folur për qenin hero "Sadak" të forcave speciale të Kosovës dhe për të gjithë efektivët me katër putra që kanë ardhur nga forcat e specializuara të vendeve të ndryshme.

Por edhe policia shqiptare ka një hero të vetin me katër putra. Bëhet fjalë për "Brandin" i cili ka zbuluar personat e gjallë nën rrënojat e 6-katëshit në Durrës.

Përmes një njoftimi në Facebook, Policia e Shtetit, shkruan se Brandi’ u fut në një tunel, rreth 4-5 metra, i krijuar nga rrëzimi i objektit. Në këtë vend ka ardhur reagimi i qenit, i cili dha shenjë për praninë e njerëzve nën rrënoja, rreth 2 metra në thellësi.

Për Brandin, ky nuk ka qenë misioni i parë sipas njoftimit të policisë pasi edhe më herët ai ka kryer operacione shpëtim-kërkimi.

Postimi i plote:

‘Brandi’ – Heroi me 4 putra i Policisë zbuloi personat e gjallë nën rrënojat e 6-katëshit në Durrës.

‘Brandi’ është heroi me 4 putra i Policisë së Shtetit, të cilin qytetarët e panë përmes ekraneve që transmetonin live nga vendngjarja, ku kërkonte për persona të mbetur nën rrënojat e pallatit 6-katësh në Durrës, goditur nga tërmeti.

Pasditen e 26 nëntorit, teksa u ndërprenë punimet me mjetet rënda dhe u fikën mjetet që punonin nën rrënoja, u përgatit dhe u fut në kërkim qeni policor. Pas kërkimit në pjesën perëndimore të banesës, ku nuk pati asnjë shenjë, u kalua në pjesën jugore të objektit. ‘Brandi’ u fut në një tunel, rreth 4-5 metra, i krijuar nga rrëzimi i objektit. Në këtë vend ka ardhur reagimi i qenit, i cili dha shenjë për praninë e njerëzve nën rrënoja, rreth 2 metra në thellësi.

Ky nuk ishte misioni i parë i ‘Brandit’, pasi ai është përdorur për kërkimin e njerëzve të gjallë nën rrënoja edhe në shërbime të tjera më herët në Shkodër e Tiranë.

Të fundit