Flash News

KRYESORE

Britania e Madhe firmos marrëveshjen e parë tregtare pas Brexit

Britania e Madhe firmos marrëveshjen e parë tregtare pas Brexit

Mbretëria e Bashkuar ka firmosur marrëveshjen e saj të parë tregtare pas Brexit, duke nënshkruar një marrëveshje në parim me Japoninë e cila synon të rrisë fitimet në tregti me rreth 15 miliardë paund.

Sekretarja e Tregtisë Ndërkombëtare, Liz Truss tha se ishte një "moment historik" duke shtuar se kjo do të sillte një sërë "fitoresh të reja" për bizneset britanike si në prodhim, ushqim, pije, industri dhe teknologji.

Marrëveshja i nevojitet edhe miratimi nga parlamenti i Japonisë, teksa përfaqësuesit e tregtisë parashikojnë që marrëveshja duhet të marrë miratimin deri në janar.

Truss tha se Marrëveshja e Partneritetit Ekonomik Gjithëpërfshirës MB-Japoni nënkupton që 99% e eksporteve në Japoni do të jenë pa tarifa.

"Marrëveshja për të cilën kemi negociuar, në kohë rekord dhe në rrethana sfiduese, shkon shumë përtej marrëveshjes ekzistuese të BE, pasi siguron fitore të reja për bizneset britanike në industrinë tonë të madhe të prodhimit, ushqimit, pijeve dhe teknologjisë. Nga punëtorët tanë të automobilave në Uells deri tek këpucarët tanë në veri të Anglisë, kjo marrëveshje do të ndihmojë për t'u rikthyer më mirë pasi krijon mundësi të reja për njerëzit në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe ndihmon në përmirësimin  e ekonomisë së vendit tonë”, tha ajo.

Ajo shtoi se, strategjikisht, marrëveshja ishte një hap i rëndësishëm drejt bashkimit me Partneritetin Trans-Paqësor dhe vendosjen e Britanisë në qendër të një rrjeti marrëveshjesh të tregtisë së lirë.

Investitorët kryesorë japonezë në Mbretërinë e Bashkuar të tilla si Nissan dhe Hitachi do të përfitonin nga tarifat e reduktuara në pjesë që vijnë nga Japonia dhe do të përmirësonin procedurat rregullatore, u tha në një deklaratë nga përfaqësues të MB.

Kryeministri Boris Johnson ka thënë që Brexit i jep Britanisë lirinë për të arritur marrëveshje tregtare me vendet e tjera në botë.

Udhëheqësit e biznesit e mirëpritën marrëveshjen, por theksuan se sigurimi i një marrëveshje me Bashkimin Europian mbetet qëllimi më i rëndësishëm.

Drejtori i përgjithshëm i Dhomës së Tregtisë Britanike, Adam Marshall, e quajti njoftimin një moment historik, por shtoi: "Ndërsa kjo marrëveshje është padyshim shkak për festime, sigurimi i një Marrëveshjeje të Tregtisë së Lirë me BE mbetet kritike për të ardhmen e bizneseve në MB. Ne i nxisim ministrat të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të arritur një partneritet gjithëpërfshirës me partnerin tonë më të madh tregtar në një kohë të rëndësishme në negociata”.

Të fundit