Flash News

KRYESORE

Britania në OKB: Përgjigja e Shqipërisë ndaj Holokaustit mishëron humanizmin që na nevojitet sot

Britania në OKB: Përgjigja e Shqipërisë ndaj Holokaustit

"Një çështje e njerëzimit: Shpëtimi i Hebrejve në Shqipëri gjatë holokaustit”. Me këtë titull u zhvillua konferenca në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e organizuar nga Departamenti i Komunikimit Global të OKB-së, në bashkëpunim me misionin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe Kongresin Hebraik Botëror.

(Tensioni në OKB, konsullja e Kosovës braktis konferencën e Shqipërisë: Hebrejtë i shpëtuam si komb, jo vetëm një pjesë e shqiptarëve)

“Përgjigja e Shqipërisë ndaj Holokaustit mishëron humanizmin dhe integritetin që na nevojitet sot. Është një testament i guximit të njerëzve që në fund të luftës, ka pasur më shumë hebrenj që jetonin atje se më parë”, janë shprehur përfaqësuesit e Mbretërisë së Bashkuar në OKB.

Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare, tha se shqiptarët i dërguan botës një mesazh ndriçues dhe të fuqishëm përmes historisë së mikpritjes, sakrificës dhe harmonisë fetare, një mesazh që nevojitet shumë në botën e sotme.

“Jam krenare sot që nderoj trashëgiminë e popullit shqiptar dhe që jam pjesë e një kombi, i cili qëndroi në anën e drejtë të historisë, në kohën e duhur dhe mori vendimin e drejtë,” tha zonja Kadare.

“Bota sot ka nevojë për Besën”, është shprehur Robert Singer, drejtori Ekzekutiv i Kongresit Hebraik Botëror.

Ndërsa zëvendëssekretarja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Alison Smale, tha se shpëtimi i hebrenjve nga Shqipëria gjatë holokaustit mishëron parimet e deklaratës universale të të drejtave të njeriut.

Jonathan Cohen, përfaqësues në detyrë i Shteteve të Bashkuara në OKB, tha se “ne njohim dhe admirojmë traditën shqiptare të tolerancës fetare dhe të fisnikërisë njerëzore, e cila bëri që hebrejtë të gjenin në Shqipëri një strehë të sigurtë për t’u mbrojtur nga nazistët.” Kjo histori e pranimit dhe guximit, - tha ai, - është një shembull për ne të gjithë, sepse sot, në shumë vende të botës, komuniteti ndërkombëtar ka dështuar në këtë aspekt, siç është rasti i shtypjes në Birmani, Siri apo Venezuelë, ku shumë qeveri nuk guxojnë të ngrejnë zërin, madje marrin në mbrojtje ata që kryejnë krime.

‘Voa’ raporton se ambasadori i Austrisë në OKB, Jan Kickert, tha se i vjen turp si austriak për faktin që bashkatdhetarët e tij nuk treguan guximin e treguar nga shqiptarët gjatë Holokaustit.

Të fundit