Flash News

KRYESORE

Bujar Nishani flet për Reformën në Drejtësi: “Spiunimi” ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve është karagjozllëk

Bujar Nishani flet për Reformën në Drejtësi:

Ish-presidenti Bujar Nishani, në një intervistë për “Gazetën Shekulli”, ka folur në lidhje situatën  aktuale në Shqipëri duke u ndalur te mbledhja e Këshillit të Sigurisë të thirrur prej tij, për injorimin që Rama i bëri kësaj mbledhje si dhe për Reformën në Drejtësi.

“Objektivi i asaj mbledhje kishte të bënte me nxitjen dhe vënien në punë dhe përgjegjshmëri institucionale të gjithë ata që kishin detyrimin të vepronin sipas përcaktimeve ligjore. Ky reagim, për fat të keq, nuk u pa, duke injoruar totalisht çfarë u tha dhe u kërkua në atë mbledhje dhe për pasojë veprimtaria kriminale e kultivimit, trafikimit dhe përfshirjes së segmenteve të larta të policisë vijoi edhe me më shumë intensitet. Kjo është arsyeja që i kujtova pushtetit moral të medies që të angazhohej në këtë këndvështrim dhe adresim publik”, deklaroi Nishani.

Ish-presidenti u shpreh se pavarësisht ironisë dhe mos vlerësimit të rëndësisë së asaj mbledhje nga kryeministri Rama,  situata e sotme është një përgjigje për sjelljen e tij.

”Kjo nuk ka nevojë për koment. Shiheni se çfarë shkruajnë mediet ndërkombëtare sot për Shqipërinë dhe le të kthehemi në atë retrospektivë për të gjetur përgjigjen më të mirë të mundshme” u shpreh Nishani.

Ndërsa sa i përket thirrjes së drejtuesve të Vetting-ut ndaj qytetarëve për të “spiunuar” çdo shkelje të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të dhëna të cilat do të ndikonin më pas në vazhdimin e karrierës së tyre, Bujar Nishani shprehet se kjo nuk është as ligjore as populiste, por është karagjozllëk.

“Kjo nuk është as ligjore dhe as populiste. Ky është një karagjozllëk. Ne shqiptarët e kemi provuar mirë të ashtuquajturën “drejtësia popullore” për gati 50 vjet. Ne duhet të kthehemi tek respekti dhe zbatimi i ligjit në vend të opinionit publik. Në një shoqëri demokratike opinion është një segment i rëndësishëm, por jo arbitri. Arbitri për këdo dhe në çdo rast duhet të jetë vetëm ligji. Ai ndërtohet me standard që në fillim dhe pastaj nuk zëvendësohet dot me opinionin publik. Kjo në kushtet dhe rrethanat e tanishme nuk do të çonte dot më shqiptarët nën diktaturë, por në një përplasje të fortë civile për të cilën duhet të bëjmë shumë kujdes që të mos na ndodhë”,- tha ish-presidenti.

Të fundit