Flash News

KRYESORE

Bushati citon Ismail Qemalin dhe kërkon vëmendje për edukimin: Dija, tipari dallues i shoqërive evropiane

Ish ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati në “Ditën e të apasionuarve pas librit”, ka dhënë një mesazh për shqiptarët dhe kombin.

Ai vë theksin te dija dhe e shikon atë si antipodin më të qëndrueshëm të shoqërisë përballë krimit dhe fenomeneve negative.

“Dija mbetet tipari dallues i shoqërive evropiane, ku ne do të shkojmë si komb duke mbajtur me vete amanetin e parardhësve dhe premtimin për pasardhësit”, shkroi Bushati në profilin e tij në Facebook.

Më pas ai publikoi një dokument që pasqyron gjendjen kulturore të vitit 1927, sipas tij një dëshmi e sakrificave për edukimin e kombit.

Statusi

“Ismal Qemali në rrugëtimin e tij historik për mëvetësinë e Shqipërisë e shpjegonte në mënyrë elokuente fjalën “komb”, që në shqip do të thotë “nyje”. Një nyjë që të bëhet në fyt. Për shqiptarët e mi – thoshte plaku i urtë – përpara se të jetë një ide, një thelb historik, kombi është një nyje, një lëmsh që mblidhet në gjoks, që të shtrëngon, gati një dhimbje.

Kjo thënie e Ismail Qemalit të kujtohet sidomos kur sheh këtë Pasqyrë të gjendjes kulturore të vitit 1927, dëshmi e sakrificave për edukimin e kombit.

Në fakt, forcimi i identitetit kombëtar nëpërmjet arsimit, artit e kulturës kanë qenë në themel të projektit të rilindasve tanë që në fillim të shekullit XIX, për një Shqipëri të përparuar, pavarësisht prapambetjes së saj.

Kjo tablo e vitit 1927 është dëshmia e gjallë sesi qytetet që kanë mbajtur peshën kryesore në historinë e vendit janë po ashtu në krye të përpjekjes për rrugën e dijes. Një varg sakrificash të cilat duhet të na shërbejnë për reflektim dhe përulësi përballë historisë që i ka rezistuar me dinjitet shtrëngatave, herë prej kohës e herë prej njeriut.

Dija është antipodi më i qëndrueshëm i shoqërisë përballë krimit dhe fenomeneve negative. Dija mbetet tipari dallues i shoqërive europiane, ku ne do të shkojmë si komb duke mbajtur me vete amanetin e parardhësve dhe premtimin për pasardhësit.”

Të fundit