Flash News

KRYESORE

Bushati me deklaratë të ndryshme nga Rama, Meta dhe Basha për vrasjen e Oliver Ivanoviç. Pasojat ia faturon Kosovës

Bushati me deklaratë të ndryshme nga Rama, Meta dhe Basha për

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati është i fundit nga zyrtarët që ka reaguar për vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç, megjithatë, deklarata e tij tejkalon qëndrimet e mbajtura deri më tani nga Tirana dhe Prishtina.

“Vrasja e Oliver Ivanoviç është një goditje e rëndë për dialogun, pajtimin dhe stabilitetin në Kosovë. Të gjithë aktorët duhet të qëndrojnë të qetë dhe të lejojnë drejtësinë të veprojë me shpejtësi”, shprehet ministri Bushati.

Por me këtë deklaratë, Bushati vendos përballë shqiptarët dhe serbët në Kosovë kur thotë se vrasja godet rëndë dialogun dhe pajtimin. A është i bindur ministri shqiptar se vrasja e Ivanoviç lidhet me konfliktet etnike në Kosovë? Por edhe nëse ekziston një lidhje e tillë, a përjashtohet mundësia që ky të jetë një provokim i jashtëm për të dëmtuar Kosovën dhe që objektivi i tij të jetë pikërisht goditja e dialogut, pajtimit dhe stabilitetit? Nëse rezulton e tillë, kjo është arsyeja përse ekzistojnë institucionet e sigurisë, që të mos lejojnë që provokimi jashtëm të godasë dialogun dhe stabilitetin vendit, ndërkohë që për ministrin e Shqipërisë dëmi tashmë është bërë dhe pasojat do i vuajnë qytetarët e Kosovës.

Nga ana tjetër, në Prishtinë dhe Beograd po flitet gjithnjë e më shumë për mundësinë e një vrasje politike dhe që nuk lidhet me konfliktin në veriun e Kosovës, ashtu siç duket se pretendon ministri ynë, dhe në rast se provohet të jetë e tillë, ngjarja nuk ka përse të japë goditje në dialogun, pajtimin dhe stabilitetin e vendit, por duhet të jetë një çështje që duhet të zgjidhet mes serbëve, pa përfshirë shqiptarët.

Kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta ishin shumë më të kujdesshëm në deklaratat e tyre për këtë ngjarje.

Rama e quajti një “akt qëllimkeq që nxit urrejtje e tension”, çka tregon se të paktën kryeministri shqiptar hedh dyshime për një plan që ka për qëllim dëmtimin e Kosovës dhe jo një rrjedhojë e konfliktit etnik mes dy popujve në veri të vendit. Ndërkohë që Meta me deklaratën e tij u fokusua te rëndësia e dialogut Kosovë-Serbi.

Edhe kreu i opozitës shqiptare, Lulzim Basha theksoi se ky akt “synon të jetë një atentat ndaj proceseve të bashkëjetesës e të dialogut në Kosovë”.

Të tre liderët flasin për synime, por asnjë prej tyre, ndryshe nga Bushati, nuk i mëshon idesë se vrasja tashmë i ka dhënë goditje të rëndë dialogut, pajtimit dhe stabilitetit të Kosovës.

Të fundit