Flash News

KRYESORE

Bushati jashtë takimeve të Ramës dhe Metës me presidenten kroate; i pranishëm zv/ministri nga Kosova

Moshapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian duket se po i kushton shumë ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Ministri Bushati po shmanget gjithnjë e më shpesh nga takimet zyrtare që zhvillon kryeministri Edi Rama.

Mungesa e tij është vënë re fillimisht në takimin që presidenti Ilir Meta zhvilloi me homologen kroate, Kolinda Grabar-Kitarović. Në Presidencë ishin të pranishëm deputetët e mazhorancës dhe opozitës të Komisionit për Politikë të Jashtme, kryetarja e këtij komisioni, Mimi Kodheli, ndërkohë që Ministria e Jashtme përfaqësohej nga zv/ministri Gent Cakaj.

Bushati mungoi edhe në pritjen që kryeministri Edi Rama organizoi sot për Kitarovic, ndërkohë që i pranishëm ishte sërish zv/ministri Cakaj. Ndonëse nuk ishte i pranishëm në Kryeministri, ministri Bushati u shfaq në seancën e Parlamentit, në krah të Ramës.

Edhe në vizitën që Rama zhvilloi Sofje pak ditë më parë për të marrë pjesë në samitin 16+1, që drejtohet nga Kina, Ditmir Bushati nuk ishte pjesë e delegacionit shqiptar, por Ministria e Jashtme përfaqësohej nga Etjen Xhafaj, gjithashtu zv/ministër.

Ndonëse jo e konfirmuar zyrtarisht, vihet re një ftohje në marrëdhënien e Ramës me Bushatin, ndërkohë që kryeministri po promovon gjithnjë e më shumë zv/ministrin Cakaj, i lindur në Kosovë. Ai ka qenë këshilltar i Ramës për diplomacinë përpara se të emërohej në postin e zv/ministrit të Jashtëm.

Gjatë vizitës së komisionarit Johannes Hahn në Tiranë, Rama theksoi se puna përgatitore për negociatat e Shqipërisë me BE-në do të udhëhiqet nga Bushati dhe Cakaj.

Kryeministri ka paralajmëruar gjithashtu se gjatë muajit qershor do të ketë disa ndryshime në kabinetin qeveritar.

Të fundit