Flash News

KRYESORE

Bushati kundër një marrëveshje Rama – Basha: Na duhet pakt kombëtar për integrimin

Bushati kundër një marrëveshje Rama – Basha: Na duhet pakt

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati shprehet në një intervistë për gazetën Panorama se qeveria duhet të demonstojë vepra jo fjalë për plotësimin e nentë kushteve të vendosura nga Gjermania.

“Thënë shqip e troç, duhet të demonstrojmë me vepra e jo fjalë se e duam vendin tonë më shumë seç na duan miqtë e huaj. Se na duhet të ndërtojmë një shoqëri europiane, edhe sikur të mos ekzistonin kriteret e Kopenhagenit apo kushtëzimet demokratike të procesit të anëtarësimit në BE”, sqaron Bushati.

Sipas Bushatit, në këtë moment vendi ka nevojë për një pakt kombëtar, ku secila forcë politike të mbajë përgjegjësi për integrimin. Me këtë rast, ai është kundër një marrëveshje Rama – Basha, me argumentin se “kjo politikë e vjetër që ngatërron nevojat e ditës me interesin kombëtar, ka djegur mundësinë e një brezi të tërë”.

“Nisur nga eksperiencat e vendeve të tjera, që kanë shkelur para nesh në këtë rrugë, ne kemi nevojë mbi të gjitha për unitet kombëtar dhe jo për marrëveshjen politike të radhës. Një unitet kombëtar, që bazohet në parimin se barrën për këtë proces e mban qeveria, porse përgjegjësia për Shqipërinë është e përbashkët. Ndaj, na duhet një pakt për Europën që përcakton strategjinë, objektivat, burimet njerëzore, duke përfshirë edhe shqiptarët e diasporës, si dhe instrumentet financiare për të paktën dekadën e ardhshme. Ne nuk kemi pse të presim Bundestagun sot, apo BE-në nesër që të na caktojë kushte e këto kushte më pas t’i përdorim për lojën e brendshme politike. Kjo politikë e vjetër që ngatërron nevojat e ditës me interesin kombëtar, ka djegur mundësinë e një brezi të tërë. Kur kthejmë kokën pas, të gjithë biem dakord se kemi humbur disa mundësi dhe nuk kemi nxjerrë mësime ende”, pohon Bushati.

Ish-ministri shton se nëse nuk jemi në gjendje të krijojmë përspektivë europiane për vendin, të paktën të mos vetëmashtohemi.

Të fundit