Flash News

KRYESORE

Bushati kundër Ramës e Cakajt: Hajdaraga s'mund të jetë ambasadore në Athinë, s'ka përvojë dhe jemi në kushtet e paligjshmërisë

Bushati kundër Ramës e Cakajt: Hajdaraga s'mund të jetë

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka mbajtur sërish një qëndrim të kundërt me mazhorancën, sa i takon propozimit të Luela Hajdaragës si ambasadore e re e Shqipërisë në Greqi.

Sipas ish ministrit, gjatë diskutimit në Komisionin për Politikën e Jashtme, jemi në kushtet e paligjshmërisë, pasi presidenti ende nuk është shprehur për vakancën dhe për shkarkimin e paraardhëses së saj.

Po ashtu, sipas Bushatit, ky post kërkon një përvojë 12-vjeçare që propozimi i shumicës nuk e ka.

“Ministri i jashtëm dhe kryeministri i kanë propozuar presidentit që të zëvendësohet ambasadorja, në një kohë kur presidenti ende nuk është shprehur për vakancën. Pa dekret nuk bëhesh dot ambasador, sepse kur flasim për ambasador kemi parasysh raportet me shtetin, që do të thotë që të gjitha shtetet ku kandidati do të punojë, i kanë sytë dhe veshët hapur, që të shohin procesin e përzgjedhjes. Këtë praktikë e kemi ruajtur që nga 2015-a.

Ambasador bëhesh ose me histori karriere, pra do një gradë të caktuar dhe nuk mund të bëhesh me bashkëngjitje. Ne vendosëm një rregull. Duhen 12 vjet eksperiencë në sistemin diplomatik të bëhesh ambasador.

Nëse vjen nga jashtë sistemit të karrierës, ligji jonë na detyron se duhet të ketë 10 vjet përvojë pune në çështje të jashtme, dhe 3 vjet në pozicione drejtuese.

Në rast se shohim historikun tonë, pavarësisht mënyrës së qeverisjes, mbretëri, apo republikë parlamentare, që në 1923 kemi pasur ambasador personalitete të spikatur, ose kanë qenë njerëz të një profili shumë të lartë publik.

Në këtë kohë pandemie një pjesë e mirë e ambasadave tona edhe prej faktit se shumë njerëz i binin telefonit tim për ndihmë janë përpjekur për të bërë punë të mirë.

Procesi ose të jetë i mbështetur në një traditë 100-vjecare ose të ndryshojmë traditën, edhe ligjin dhe më pas të jemi të qetë edhe në ndërgjegjen tonë”, u shpreh Bushati.

Kujtojmë se Hajdaraga u propozua në postin e ambasadores shqiptare në Athinë pas shkarkimit të Ardiana Hobdarit dhe një pjesë të stafit të saj, lidhur me skandalin e pasaportave duke u transportuar me autobusë pasagjerësh nga Tirana në Athinë, si dhe pas ankesave të shumta që kanë pasur emigrantët shqiptarë në Greqi.

Të fundit