Flash News

KRYESORE

Bushati përqafon marrëveshjen e Maqedonisë së Veriut: Garanci për përmbushjen e Deklaratës së Përbashkët të Partive Politike Shqiptare

Bushati përqafon marrëveshjen e Maqedonisë së Veriut:

Ish-ministri i jashtëm, Ditmir Bushati, është shprehur se marrëveshja e nënshkruar sot për qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut dëshmon qartë vullnetin për të çuar përpara agjendën demokratizuese dhe europianizuese të vendit.

Nëpërmjet një deklarate në Facebook, Bushati  ka theksuar se përfaqësim sa më dinjitoz në parlament dhe marrja e përgjegjësive në të gjitha nivelet e qeverisjes, është garanci për përmbushjen e të gjitha pikave të Deklaratës së Përbashkët të Partive Politike Shqiptare, të 7 Janarit 2017.

Më tej ai shton se me marrëveshjen e re për qeverinë në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët do të kenë një kryeministër për 100 ditët e fundit të mandatit 4-vjeçar.

Reagimi i plotë i Bushatit:

Pas rezultatit në zgjedhjet parlamentare të 15 Korrikut dhe marrëveshjes së nënshkruar sot për qeverinë e re, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, dëshmojnë qartë vullnetin për të çuar përpara agjendën demokratizuese dhe europianizuese.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë qenë në ballë të proceseve tona kombëtare. Kontributi i tyre për ndërtimin e një shoqërie europiane është i pazëvendësueshëm. Një përfaqësim sa më dinjitoz në parlament dhe marrja e përgjegjësive në të gjitha nivelet e qeverisjes, është garanci për përmbushjen e të gjitha pikave të Deklaratës së Përbashkët të Partive Politike Shqiptare, të 7 Janarit 2017. Pika, që do të siguronin barazinë e plotë ndërmjet dy komuniteteve shtetformuese, duke konsoliduar në të njëjtën kohë arritjet e deritanishme që kanë lidhje me përdorimin e simboleve kombëtare dhe përfaqësimin e drejtimin e institucioneve kryesore të shtetit.

Suksese për këtë arritje të merituar!

Të fundit