Flash News

KRYESORE

Bushati shton konfuzionin për refugjatët: Nuk ka plan, por jemi të gatshëm nëse na ofrojnë ndihmë

Bushati shton konfuzionin për refugjatët: Nuk ka plan, por jemi

Zyrtarët shqiptarë duket sikur ecin mbi gjemba sa herë flasin për planin e disa shteteve të Bashkimit Evropian për ndërtimin e një kampi refugjatësh në Shqipëri, ndërkohë që daljet e tyre publike nuk po ndihmojnë në qartësimin e publikut për këtë çështje.

Pas përplasjeve të deklaratave mesditën e sotme të zv/ministres së Brendshme, Rovena Voda, me këshilltarin e kryeministrit për sigurinë, Sandër Lleshi, është ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, që me deklaratën e bërë në ‘Abc News’ ka shtuar edhe më shumë konfuzionin.

Bushati theksoi se Shqipëria nuk është përfshirë në këtë plan, por vendi ynë është i gatshëm të përballet me këtë fenomen në këmbim të ndihmës që do të vijë nga shtetet e BE-së. Ministri nuk sqaroi se deri në çfarë pike mund të arrijë kontributi jonë për këtë çështje.

“Nuk ka një plan të tillë sa i përket Shqipërisë. Por nga ana tjetër duhet të pranojmë faktin se shifrat janë dyfishuar në raport me 2017-ën, sa i përket shtetasve që vijnë nga Lindja e Mesme, që lënë kampet e Greqisë dhe kapen në kufirin tonë dhe krijojnë një vështirësi për menaxhimin nga autoritetet. Kjo ka shkaktuar zgjimin e vëmendjes sa i përket krijimit të një rruge të re drejt Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjes dhe Kroacisë për të përfunduar në Evropën Perëndimore. Jemi në diskutim me qeveritë e shteteve që preken nga ky fenomen. Në korrik do të ketë një takim të ministrave të Jashtëm të shteteve që preken nga fenomeni. Shqipëria është gatshme të përballet me këtë fenomen në këmbim të ndihmës që vjen nga shtetet e BE-së”, tha Bushati.

Sa i përket mundësisë që Shqipëria të marrë hapjen e negociatave në këmbim të strehimit të refugjatëve që ndodhen në Evropë, ministri Bushati se Qeveria është e fokusuar në përmbushjen e pesë prioriteteve sa i përket negociatave.

“Do të ishte një gjykim jashtë logjikës për mënyrën si funksion ky proces. Kjo nuk do të thotë se konteksti gjeopolitik nuk ndikon në ndërmarrjen e një vendimi pozitiv, por në rastin në fjalë (negociatat) ne jemi të përqëndruar në përmbushjen e pesë prioriteteve dhe së dyti, sa i përket përballimit të krizës së refugjatëve, ne po punojmë jo vetëm me vendet kufitare. Në vijmësi kemi mbajtur të njëjtin qëndrim se jemi të gatshëm të japim kontributin tonë, por kontributi ynë nuk mund të konceptohet i izoluar sepse është diçka që shkon përtej shpatullave dhe mundësive të Shqipërisë”, u shpreh ministri i Jashtëm.

Ndërkohë gjatë ditës, zv/ministrja Voda tha se Shqipëria i ka kapacitetet për ngritjen e kampit, ndërsa këshilltari Sandër Lleshi theksoi se ky kapacitet nuk ekziston.

Të fundit