Flash News

OP-ED

Buxheti kundër Arsimit, Rinisë dhe Zhvillimit

Buxheti kundër Arsimit, Rinisë dhe Zhvillimit

Dr. Erion Piciri

Kohë më parë lexova një histori domethënëse me Shën Pjetrin, që e pyesin, se cili do ishte sipas tij ushtaraku më i madh në histori? Ai e drejton gishtin tek një njeri që nuk kishte bërë ndonjë gjë të madhe në jetë. Ky do ishte, vijon Shën Pjetri, nëse do kishte investuar në rrugën e talentit të tij. Mungesa e investimit në drejtimin e duhur, tek mendja dhe aftësitë i ka lënë mbrapa shumë njerëz dhe kombe në histori. Njëri prej tyre është edhe kombi ynë. Prej dekadash ne tolerojmë shpërdorimin e fondeve publike për kastat politike, administrative dhe bizneseve klienteliste në vend të stimulojmë talentet e shqiptarit, që fati a perëndia i ka shpërndarë me aq bujari e drejtësi, pa dallim krahine, partie, feje, klase apo gjinie. Investimi tek shkolla e njeriut do ishte antidoti ndaj varfërisë që sot është në nivelin e 35% (sipas Bankës Botërore), do ishte një premisë e mirëqënies për çdo njeri dhe vendit në tërësi, sikurse sugjerojnë shumë studime bashkëkohore. Po nuk është e thënë që kjo të bëhet, sidomos nga ata që arsimin nuk e kanë pasur prioritet as për veten e tyre.

Në vijim të sabotimit të kapitalit tonë njerëzor, vjen projekt-buxheti i vitin 2020, që neglizhon arsimin, godet shpresën e rinisë për cilësinë e edukimit, eleminon kërkimin, bllokon rrugët e Shqipërisë drejt teknologjisë dhe inovacionit, nxit emigrimin, i jep një goditje të fortë perspektivave kombëtare të zhvillimit. Riciklohet e njëjta mendësi e gabuar politike që na ka lënë pothuajse nga fundi i Europës në çdo fushë, veçanërisht në arsim. Në 20 vitet e fundit mesatarja e buxhetit për arsimin nuk e kalon 3% e GDP-së (Prodhimit të Brendshëm Bruto), duke kapur një rekord historik prej 2.5% në projekt-buxhetin e vitit 2020, me një shifër mospërfillëse prej 0.036% në zërin për shkencën. Si mund të eci Shqipëria kur investimet për kërkim dhe zhvillim (Research & Development) i ka 130 herë më të ulta si % e GDP-së se Izraeli dhe në vlerë monetare rreth 3250 herë më të ulta se ky i fundit. I admirojmë hebrenjtë për realizimet e tyre, por ne nuk dimë se ç'mund të bëjë mendja e shqiptarit nëse çdo vit do investoheshin miliarda euro në kërkim dhe inovacion siç ndodh në Izrael apo vende të tjera të Europës.

Ne nuk na kanë munguar kurrë burimet njërëzore, por lidershipi, që në vend të investojë tek mendja e njeriut, shpërdoron në rrugët e askundit rreth një miliard euro, duke na futur nëpër borxhe me investime të padobishme. Nga paaftësia, dashakeqësia apo makutëria po kompromentohet e sotshmja dhe e ardhmja e shqiptarit. Për të kuptuar më mirë politikën antiarsimore të kësaj qeverie dhe jo vetëm, le t'i hedhim një sy krahasues nivelit tonë të arsimit me vendet fqinje, ato europiane dhe të OECD-së, sikurse investimet që këto vende kryejnë për kultivimin e mendjes dhe thellimin e dijes.

(1) NËNFINANCIMI KRONIK DHE NËNPERFORMANCA E NXËNËSIT SHQIPTAR

Prapambetja evidentohet në çdo nivel arsimor. Në testet PISA të OECD-së (The Programme for International Student Assessment) të vlerësimit të njohurive të 15 vjeçarëve në mbarë botën, Shqipëria ndodhet këto dhjetë vjet në një të tretën e fundit të vendeve në testim. Qeveritë ndryshojnë, dështimi mbetet. Më konkretisht, në testin PISA 2018 që u publikua në këtë fillim dhjetori të 2019-ës, renditemi vendi i 55 nga 79 vende, me një përkeqësim në pikë dhe klasifikim në lexim (vendi 61 nga 79), përkeqësim në pikë dhe klasifikim në shkencë (vendi 58 nga 79) dhe një përmirësim në pikë dhe klasifikim vetëm në matematikë (vendi 48 nga 79). Me 419 pikët e grumbulluara, rreth 170 pikë pas kryesuesve, tregon se nxënësit tanë kur mbarojnë maturën kanë një nivel përgatitjeje si të përfundimit të 8 apo 9 vjeçares krahasuar me vende si Kina, Singapori, Estonia, Kanadaja, Japonia, Finlanda apo Polonia. Kështu ishte dhe në vitin 2015, ku renditeshim në vendin 55-të nga 70 vende, një ndër 4 të fundit e Europës. Analizën këtyre rezultateve të dobëta ua bën më së miri një raport i Unicef-it i dy viteve më parë. "Shqipëria renditet në fund të vendeve të OECD-se në testin e arritjeve PISA, me pak përmirësime përgjatë kohës, që do të thotë se ndonëse nxënësit mund të jenë regjistruar në shkollë, ata nuk janë duke mësuar si bashkëmoshatarët e tyre në vendet e tjera". (George Psacharopoulos, Albania - The Cost of Underinvestment in Education: And ways to reduce it, p. 21, Unicef 2017).

Rezultatet nuk janë të rastësishme, por fryt i një vëmendjeje të munguar. Si mund të performosh kur je vendi i 102 për GDP per capita (sipas FMN-së) dhe kur nga ky prodhim i brendshëm bruto investon sa gjysma e mesatares së BE-së, OECD-së apo vendeve të Ballkanit. Diferenca në investim bën diferencën në rezultate. Nëse për arsimin fillor dhe të mesëm qeveria prashikon të investojë në 2020-ën 1.73% të GDP-se, vendet e OECD-së raportojnë një mesatare prej 3.5%, nëse ne investojmë 570$ në vit për nxënës (sipas Unicef-it), vendet e OECD-së një mesatare prej 9500$ (https://nces.ed.gov/programs/coe/indicator_cmd.asp).

Distanca thellohet vit mbas viti dhe nëse ka diçka që na mban konkurues është inteligjenca natyrale e shqiptarit, por e neglizhuar nga qeveritë, kjo është një pasuri kombëtare e çuar dëm. Të lësh një fëmijë pa arsim është t'i kompromentosh mundësitë e zhvillimit të talenteve të tij, të lësh një fëmijë në dorë të arsimit mediokër është t'i deformosh në mënyrë të pakthyeshme shtratin ku do zhvillohen prirjet e tij. Ndëshkimi më i madh i një kombi është të krijojë përshtypjen e kultivimit të dijes, por në realitet të neglizhojë formimin e fëmijëve të tij.

(2) PAMJAFTUESHMËRIA FINANCIARE DHE PRAPAMBETJA UNIVERSITARE

Rezultatet e dobëta shoqërojnë edhe botën universitare. Jemi të fundit nga vendet europiane dhe rajonale. Universitetet shtetërore të kryeqendrave ballkanike, që financohen kryesisht nga buxheti i shtetit, hyjnë në top 1000+ universitetet botërore, ndërsa universiteti i kryeqytetit shqiptar (Universiteti i Tiranës) i përhumbur disa mijëra vende më poshtë. Sipas Times Higher Education, Universiteti Kombëtar dhe Kapodistrian i Athinës renditet midis vendeve 501-600, Universiteti i Lubjanës midis vendeve 601-800, Universitetet e Beogradit dhe të Stambollit midis vendeve 801-1000, Universitetet e Zagrebit, Sofies dhe Bukureshtit në vendet 1000+. Disa mund të thonë se është çështje tradite dhe madhësisë së një vendi. Në fakt bie edhe kjo tezë. Ka vende edhe më të vogla me arritje më të larta në arsim. Universiteti i Malit të Zi, ish-Universiteti i Titogradit është themeluar në Podgoricë në vitin 1974 dhe renditet 1001+ sipas Times Higher Education, vendi 2448 sipas Unirank. Ky vend e ka popullsinë sa e një e pesta e vendit tonë. Përpara nesh është edhe Universiteti Shën Cirili dhe Metodie në Shkup (themeluar më 1947-ën), që renditet i 3139-i sipas të njëjtit klasifikim. Madje edhe Universiteti i Prishtinës, themeluar më 1969-ën ndodhet përpara universiteteve tona, vendi 4591 sipas Unirank. Universiteti i Tiranës nuk del fare i renditur tek Times Higher Education, por tek Unirank del si universiteti i 7367. Në këtë hierarki Universiteti Politeknik është i renditur i 9596-i, Universiteti Bujqësor 9692-i, Universiteti i Arteve 10909-i, Universiteti i Mjekësisë së Tiranës vendi 11462. E gjithë kjo situatë e ka një shpjegim. Si mund të kesh sukses kur për tre nivelet e arsimit do investohen në vitin 2020 vetëm 2.3% e GDP-së dhe në atë universitar vetëm 0.55%. Sipas Eurostat-it vendet e BE-së alokojnë 4.7% të GDP-së për arsimin, vendet e OECD-së 5%, vendet ballkanike 4.5%. Mesatarja e vendeve të OECD-së për arsimin universitar, raportohet 1.5% e GDP-së (https://www.oecd.org/education/education-at-a-glance/EAG2019_CN_KOR.pdf). Të lesh arsimin pa fonde është si t’i çosh ushtarët në luftë pa armatim. Pa investime nuk ka prodhim, pa kultivim nuk ka zhvillim, pa kërkim nuk ka ekselencë në arsim.

Arsimi shqiptar ka nevojë për mësimdhënës të trajnuar, të motivuar dhe të mirëpaguar, për lektorë të huaj, për administratorë nga universitetet me prestigj global dhe për nxitje të kërkimit. Të gjitha kërkojnë një financim dinamik të shtrirë në kohë. Universiteti i Tiranës duhet të synojë top 500 universitetet e botës dhe në këtë rrugë duhet të ecin edhe të tjerat, por ky nuk është objektiv qeveritar. Gjendja e arsimit dhe mungesa e investimeve e tregojnë indiferencën. Kjo nxit largimin e rinisë. Njeriu është në kërkim të arsimit, punësimit dhe fitimit. Kur mungojnë, ikja mbetet i vetmi opsion.

(3) POLITIKA KUNDËR KËRKIMIT DHE ZHVILLIMIT

Situata është më alarmante kur flasim për kërkimin dhe inovacionin. Ky zë përdoret si terminologji propagande, por pa mbështetje reale financiare. Shuma modeste prej 0.036% e GDP-së për shkencën, që qeveria ka parashikuar për vitin 2020 është shumë larg vendeve europiane, që për vitet 2014-2017 arritën një mesatare prej 2.06% viti, plot 57 herë më e lartë se e jona dhe synimi është të arrihet 3% në vitin 2020 (https://ec.europa.eu/eurostat/statistics-explained/index.php/Europe_2020_indicators_-_R%26D_and_innovation). Akoma më të lartë e kanë vendet e OECD-së që raportojnë 2.37% të GDP-së për vitin 2017.

Na pëlqen të marrim si shembull Izraelin dhe pushtetarët e tij krenohen me performancën e shpikësve të tyre, por ky vend alokon 4.7% të GDP-së në R&D (Research & Development). Madje edhe vende pranë nesh si Sllovenia shpenzojnë në këtë zë afro 2% të GDP-së, mbi 800 milion euro në vit, 53 herë më shumë si përqindje, mbi 150 herë më shumë në vlerë monetare. Asgjë nuk lind nga asgjëja, duhet të mbjellësh që të korrësh, të kultivosh që të shpërblehesh me produkte cilësore. Kjo vlen më së shumti për ushqimin cilësor të mendjes. Ne thjesht paguajmë paga, në një tatëpjetë konstante, por nuk investojmë të kuptojmë vendin në të cilin jetojmë dhe të nxjerrim konkluzione shkencore se ku mund të shkojmë. Kjo traditë duhet ndryshuar. Epoka e fotografisë, fasadës dhe imazhit propagandistik duhet t'ia lerë vendin epokës së realizimeve të projekteve të qenësishme, me impakt social, kërkimor dhe zhvillimor. Fundja fundit edhe lidershipi politik është më i orientuar kur bazohet në të dhëna kërkimore sesa në parapolitikën e intuitës dhe gallatës qeveritare.

(4) MEDIOKRITETI ARSIMOR DHE LARGIMI I RINISË SHQIPTARE

Nënfinancimi dhe mediokriteti ndjehet nga prindërit e studentët dhe emigrimi për shkak të arsimit shikohet si alternativë nga më të mirët. Nga viti 2014 dhe deri në vitin 2019 universiteteve shqiptare u ka rënë numri i studentëve me 20%, apo në 35.611 syresh (sipas Instat-it). Ky është numri pak a shumë i studentëve më të mirë që sot studiojnë anembanë Europës dhe botës dhe që në masën 94% (sipas një ankete të Fondacionit Friedrich Ebert), nuk mendojnë të kthehen më në Shqipëri. Duke lënë mënjanë patriotizmin folklorik, të rinjtë e ndjejnë se po ecim në drejtimin e gabuar, kanë një pakënaqësi të shtuar, një shpresë të munguar. Po sipas të dhënave të këtij fondacioni (Friedrich Ebert) që bën hulumtime periodike mbi rininë në Europën Jug-Lindore, 63% e të rinjve shqiptarë nuk besojnë se shkollimi tek ne përshtatet me tregun e punës, 54% thonë se e kanë të vështirë të gjejnë një vend pune mbas shkolle, po kaq pohojnë se blerja e provimeve në universitete është një fenomen i përhapur, 66% kanë një dëshirë për të emigruar, 43% të fortë dhe 23% të moderuar (Alba Çela, Geron Kamberi, Studimi Rinor Shqipëri 2018/2019, Albdesign PSP, Tiranë, Shqipëri, 2019).

Kjo është një humbje e madhe që kërkush nuk shqetësohet. Kur në një dekadë të ikin dhe nuk duan të kthehen rreth 30 mijë studentë, të kanë ikur 400 mijë vite shkollim, 250 milion dollarë investim publik (nëse e marrim të mirëqenë shifrën e Unicef-it për 570$ viti për investim për nxënës në Shqipëri) mbi 1.3 milion vite pune dhe kontribute të munguara në të ardhmen, qindra milion euro të dërguara jashtë nga familjet shqiptare për shkollimin e tyre të mëtejshëm që i ikin vendit dhe pasurojnë botën. Kjo është drama e një kombi që ka ushqyer me burime njerëzore shumë kombe të tjera, si pasojë e paaftësisë së atyre që e drejtojnë.

Ne duhet të mendojmë për burimet tona më të mira njerëzore, për nxënësit me prirje dhe rezultate, për përkushtimin e prindërve të tyre. Vendi me taksat më të larta në Ballkan bashkë me Serbinë (afro 40%), i detyron shqiptarët me ambicie dhe standarde europiane (që paguajnë taksa rreth 60%) të paguajnë sërisht për arsim privat të fëmijëve të tyre. Një taksim i fshehtë, i padrejtë dhe i pandershëm që e detyron shtresën e mesme dhe të lartë, njerëzit më të zot të emigrojnë bashkë me familjet e tyre. Sistem i kalbur në mendësi dhe funksionim, që i lë fëmijët shqiptarë në një nivel arsimor të varfër dhe me plot deficienca të mbartura në kohë. E trishtë të lesh këtë popull që i ka dhënë kaq figura botës, me një arsim pa standarde si pasojë e mungesës të burimeve financiare.

(5) RRUGA DREJT EKSELENCËS NË ARSIM DHE ZHVILLIM KOMBËTAR

Ringritja e kombit fillon me arsimin dhe ekselenca në arsim fillon me mirëfinancimin. Kuptohet që asnjë shtet nuk ka para për të gjitha, por zgjedh prioritetet dhe arsimi duhet të jetë në krye të listës. Inteligjencën e familjes shqiptare që investon tek arsimi i fëmijëve, më shumë se mesatarja e BE-së dhe se çdo vend i rajonit, ne duhet ta kthejmë në politikë qeveritare. Arsimi duhet të marri në Shqipëri në vitet e dekadat që vijnë investime publike në nivelin e 6.5% të GDP-së, nga të cilat 2% duhet të shkojnë në kërkim dhe zhvillim. Ky është minimumi duke parë diferencën historike dhe të GDP-së për frymë. Këto para mund të gjenden duke ulur shpërdorimet buxhetore në drejtime të gabuara. Ulja me 40% e vendeve në parlamentit, heqja e privilegjeve (rroga e pensione suplementare të shtetarëve dhe funksionarëve publikë), ulja me 50% e administratës publike dhe ngadalësimi i investimeve në rrugë, sikurse goditja e një kaste politike që përvetëson buxhetin e shtetit, do mundësojë dy-tre fishimin e buxhetit në arsim dhe pesëdhjetë fishimin në kërkim.

Rruga Shqipërisë për në botën e civilizuar nuk kalon nga politika, betoni dhe asfalti, por nga inovacioni, shkenca dhe sipërmarrja prodhuese. Shqiptari nuk ka nevojë të rendi drejt rrugëve që e çojnë për pushime, por drejt rrugëve të kërkimit dhe teknologjisë, drejt shkollës me standarde, drejt lidhjes me botën e zhvilluar. Nuk kemi nevojë të shkojmë më shpejt në Peshkopi, Dukat apo Balldren, por të kultivojmë fëmijët tanë të na lidhin me New York-un, Frankfurtin apo Tel-Aviv-in. Zhvillimi nuk kalon nga rrugët e provincave, por nga rrugët e risisë, parasë dhe shërbimeve në një botë të hapur. "Kapitali njërëzor, më shumë se infrastruktura fizike, shpjegon se cilat qytete kanë sukses", arrin në konkluzion profesori i ekonomisë së Harvardit, Edward Glaeser. Sipas tij bota e zhvilluar po ecën në drejtim të qyteteve të mëdha, drejt njerëzve të mirëarsimuar, profesionalizmit, ideve dhe inovacionit që sjellin suksesin dhe mirëqenien. (Edward Glaeser, Triumph of the City, New York, 2011). Të investosh në një rrugë afro gjysëm miliardi euro që të çon drejt një province me rreth 25 mijë banorë dhe të lesh në një arsim anemik afro 800 mijë nxënës dhe studentë (perfshi edhe fëmijët e këtyre zonave) është o miopi politike, o dashakeqësi a korrupsion, në mos delir për të asociuar emrin me një rrugë të madhe, por kurresesi investim strategjik për zhvillim kombëtar.

Kështu nuk ecet më. Paraja e njerëzve duhet të kthehet tek njerëzit. Pushtet do të thotë përgjegjësi dhe ndërgjegjësim për rolin që ke në evolucionin e kombit tënd. Ndonëse investimi në arsim nuk sjell vota dhe do kohë të japi rezultate të dukshme, shtetari autentik duhet të bëjë atë që është frytdhënëse për vendin edhe me koston e humbjes të përkohshme të popullaritetit. Të bësh gjënë e duhur duke sakrifikuar veten dhe organizatën është çështje madhështie në karakter që kombi një ditë do ta dijë për nder. Të mbash pushtetin me paratë e munguara të arsimit të fëmijëve të vendit tënd është pandershmëri politike. Kombet e zhvilluara shquhen për arsim cilësor me akses në masë të shoqërisë, largimin nga vendimmarrjeja të mëndjeve të kompleksuara me formim të munguar, që kërkojnë të kompensojnë deficitet e jetës me projekte megalomane me dobishmëri të ulët sociale. Koha të kthehet vëmendja drejt arsimit, përmes ndryshimit të lidershipit. Marifetet e vjetra nuk na çojnë drejt rrugëve dhe sukseseve të reja.

————

Deputet i pavarur, anëtar i Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik në Parlamentin e Shqipërisë.

Të fundit