Flash News

KRYESORE

Bylykbashi: Bild i ka marrë përgjimet nga burime shqiptare, por jo nga opozita

Bylykbashi: Bild i ka marrë përgjimet nga burime shqiptare, por jo nga

Ish-deputeti i Partisë Demokratike,  Oerd Bylykbashi ka hedhur poshtë aludimet se opozita i ka dhënë përgjimet gazetës Bild. Në emisionin ‘Ditari’ në A2 CNN, Bylylbashi thotë se përgjimet provojnë kazan e opozitës për shitblerjen e votave në Zgjedhjet e Përgjithshme të 2017-ës.

“Ato që dëgjuan dje shqiptarët nuk janë sekret, dihen prej kohësh. Unë kam thënë në Parlament që Durrësi është bërë kryeqyteti i krimit të organizuar në Shqipëri. Neve nuk na besonin kur flisnim për presionin mbi administratën dhe shitblerjen e votës. Të gjitha ato që kemi thënë ne u konfirmuan katërcipërisht dje. Shitblerja e votës dhe kërcënimi i zgjedhësve janë vepra penale. Ne i kemi dokumentuar me mundësitë tona, por për të qenë prova duhen procese hetimore. Ja ku e kemi një dosje me të dhëna tronditëse, por mesa duket nuk i bëjnë përshtypje Edi Ramës dhe do të duheshin që media t’i nxirrte pasi prokuroria fle mbi ato dosje”, u shpreh ish-deputeti i Partisë Demokratike.

Më tej, Bylykbashi theksoi se shqiptarët “duhet t’i shqetësojë fakti që prokurorja e përgjithshme ka prioritet të hetojë kush nxori këto gjëra të tmerrshme që ajo i mbante të fshehura”, ndërsa shtoi se ato përgjime nuk ia ka dërguar “Bild”-it opozita shqiptare.

“Gazeta “Bild” i ka marrë audio-përgjimet nga burime shqiptare, por jo nga opozita. Edhe Zëri i Amerikës ka nxjerrë përgjime të tjera, por mesa duket sa më shumë “trashet” zullumi, aq më shumë e kuptojnë tronditjen. Por, asgjë që thotë mazhoranca nuk i heq vlerën shokuese atyre përgjimeve që dëgjuan dje shqiptarët”, u shpreh Bylykbashi.

Të fundit