Flash News

OP-ED

Çdo të sjellë për Ramën rrëzimi i gjeneral Sandër Lleshit

Çdo të sjellë për Ramën rrëzimi i gjeneral

Fitim Zekthi

Rrëzimi nga presidenti Ilir Meta i propozimit të Kryeminsitrit Rama për të emëruar Ministër të Brendshëm Sandër Lleshin  e zhyti  në kaos të plotë qeverinë dhe vetë Kryeministrin. Këto janë ditët më të vështira të tij në pushtet. Shkarkimi i Ministrit të Brendshëm Xhafaj, i cili kishte disa muaj që po luftonte me gjithçka për të mbijetuar nga akuzat se ishte në dijeni dhe, madje, ndihmoi  të vëllanë e dënuar për trafik ndërkombëtar droge, ndonëse nga njëra anë i hoqi Kryeminisrit një pengesë të madhe, nga ana tjetër ia sterrosi edhe më retë e zeza në të cilat ishte zhytur kjo qeveri për shkak të akuzave për lidhjen me krimin dhe trafikun, për përfshirje në  parlament, qeverjsje apo bashki të njerëzve që vinin nga bota e krimit, për blerje të zgjedhjeve me paratë e kriminelëve etj.

Ministri Fatmir Xhafaj ishte i dyti Ministër i Brendshëm i emëruar nga Rama. Ashtu si edhe i pari, Saimir Tahiri, ai dështoi plotësisht dhe u largua me njollën e njeriut që humbi betejën me trafikun, krimin dhe drogën. Është e qartë se ka dallim të madh mes tij dhe Tahirit përderisa ky i fundit është nën hetim dhe dyshime  se ka marrë pjesë ai vetë, ka ndihmuar dhe është përfshirjë në organizata të strukturuara kriminale. Gjithsesi, të dy konsiderohen dështime spektakolare dhe të turpshme të një qeverie që për mbi 5 vjet u mburr egërsisht se po luftonte krimin, trafiqet dhe kultivimin e drogës.

Me emërimin e Sandër Lleshit, Kryeministri u përpoq të zgjidhte dy nga problemet e mëdha me Ministrinë e Brendshme.  Së pari, ta merrte atë vetë nën kontroll të plotë duke emëruar një këshilltar të tijin, të cilin që gjatë një interviste së fundi e dëgjuam të flasë me admirim të thellë për Ramën, për dijet dhe shpirtin e tij intelektual.  Saimir Tahiri, sigurisht, që konsiderohet një njeri i lidhur drejtpërdrejt me Ramën,  por duket qartë se agjenda  e Tahirit nuk përputhej në çdo pikë me atë të Ramës. Kjo bëri që Rama të mos ishte Ministër i Brendshëm në masën që do të donte. Fatmir Xhafaj sigurisht që ishte vetë Ministër i Brendshëm. Ndryshe nga Tahiri, agjenda e Xhafajt kishte më shumë mospërputhje me agjendën e Ramës.

Së dyti, me emërimin e Sandër Lleshit  Kryeminstri shfaqej si një njeri që e largonte nga politizimi i madh Ministrinë e Brendshme, që e zhvendoste atë nga të qenit mjet në luftën politike. Pra ai nuk po emëronte një politikan të fortë partriak me ambicje në luftën e brendshme, por dikë nga bota intelektuale. Në fakt, Ministria e Brendshme do të bëhej shumë më e politizuar, sepse ajo po zhvendosej nga Tahiri dhe Xhafaj, që ishin politikanë të fortë dhe me ambicje në luftën e brendshme, në kryepolitikanin e luftës së brendshme dhe në kryepërdoruesin politik të çdo gjëje. Poeti grek Konstandin Kavafis shkruan se në luftën e Trojës zbriti vetë hyu Apollon për të vrarë  Akilin, ndërkohë që Apolloni të tjera  gjëra i kishte premtuar perëdeshës Tetis, nënës së Akilit. Edhe Rama, nëpërmjet Sandër Lleshit, pikërisht këtë gjë synonte të bënte, të sillej si Apolloni, të zbriste vetë në luftë, i veshur ndryshe.

Ky plan u prish (përkohësisht ndoshta) nga presidenti Meta, por kjo tregon plotësisht se çfarë mendon Rama për politikën.  Për Ramën politika është një çështje e zaptimit, zotërimit, dominimit, fitores me çdo kusht. Për Ramën politika është shah. Rama tha në një mesazh dërguar deputetëve të tij se ata duhet të mos komentonin…. Sepse politika është shah…

Rama e ka deklaruar edhe herë të tjera se politika është shah. E tha në kohën që po shkonte të negocionte në Presidencë për futjen e PD-së në zgjdhje.

Ta konsiderosh politikën shah, do të thotë ta zhveshësh atë nga të qenia e saj publike dhe nga përgjegjësia publike. Kur ajo kthehet në shah, ajo nuk mund të jetë e përgjegjshme, nuk mund të jetë e moralshme dhe nuk mund t’i japë llogari askujt për asgjë.

Ka patur edhe disa raste të rënda, ku del kjo lloj mendësie e Ramës që e konsideron politikën një veprimtari jopublike dhe që nuk i detyrohet asgjë publikut.

Rreth dy vite e ca më parë Ministri i Financave, Shkëlqim Cani,  u shkarkua nga detyra. Deri në atë moment, Cani kishte deklaruar vijimin e arritjeve dhe angazhime të rëndësishme në ekonomi.  Rama gjithashtu kishte folur për arritje të mëdha në ekonomi dhe reformat ekonomike. Pas këtyre deklarimeve ndodhi shkarkimi i menjëhershëm. Pa asnjë shpjegim, pa asnjë arsye. Thjesht u deklarua: “Kryeministri Edi Rama i shprehu sot Ministrit të Financave Shkëlqim Cani, falënderimet e tij për angazhimin…në kryerjen e njërës prej detyrave më të vështira qeverisëse të këtij mandati. Kryeministri e informoi ministrin Cani për vendimin e zëvendësimit të tij me një koleg tjetër…”

Edhe Cani nuk deklaroi asgjë. Heshti dhe gradualisht u harrua ose me vetëdije shkoi drejt harrimit. Në një demokraci qytetarët duhet të dinë se pse u shkarkua një ministër, çfarë motivesh kanë çuar në shkarkimin e tij. Mbi informcione të tilla qeveria mbahet përgjegjëse, jep llogari, garanton transparencë. Këto janë gjëra elementare në demokraci. Ndërkohë Rama, Cani dhe qeveria u sollën si një organizatë okulte, në të cilën kur dikush ikën, jepet mesazhi, përcillen kodet dhe heshtet. Edhe në botën e biznesit, ndërrmarrjet private, bankat, kompanitë, japin sqarime kur largohet një drejtues. E kemi fjalën për ndërrmarrje të zakonshme, sepse në ato të mëdhatë, siç janë koorporatat,  kjo nuk vihet në dyshim. Largimi i drejtorit në bankën HCBC diskutohet me javë, largimi apo emërimi i drejtorit në Coca Cola apo Aple është çështje e madhe publike. Dhe bëhet fjalë për kompani që as zgjidhen dhe as votohen nga njerëzit.

Pas rastit të turpshëm “Cani”, vjen rasti “Xhafaj”. E njëta gjë. Largohet dhe thuhet “dha dorëheqjen”. As Kryeminstri dhe as ministri nuk thonë asgjë. Duket sikur kemi të bëjme me lëvizje në ndonjë kupolë organizate okulte. Më pas jepen mesazhe dhe përdoret gjuhë e koduar. Në Lushjë Kryeministri Rama thotë se kush gjuan me gurë, në shtëpinë e tij nuk ka vend, duke e ulur Xhafaj në fund të kuvendit si Tahiri dikur. Kur Xhafaj shkoi në takim me popullin me Veliajn tha se ka politikanë që punojnë me përkushtim dhe ka të tjerë që ndjekin vetëm interesin personal.

Nuk po përmendim emërimin dhe largimin pa asnjë shpjegim të Ermonela Felajt  apo Eduard Shalësit  apo të drejtorëve në  dogana, tatime etj.  sepse vërtet nuk thonë asgjë më.

Të kuptuarit e politikës si shah do të çojë padyshim në këtë sjellje dhe në këtë luftë. Çështja është se shahu nuk ka njohur kurrë vetëm një fitues. Edhe më të mirët në shah kanë humbur. Në momentin kur nis loja e shahut, pas lëvizjes së parë ekzistojnë së paku 400 pozicione në tabelë. Pas lëvizjes së katër, nga secili lojtar ekzistojnë rreth 288 miliardë probabilitete të pozicioneve në tabelë. Rama jo e jo që nuk mund t’ia dalë, pavarësisht se deri më tani mendonim se ka fituar. Nuk ia ka dalë Kasparov apo Karpov, nuk ia kanë dalë faraonë, gjeneralë  dhe mbretër. Ajo lojë humbet nga kushdo një ditë.

Të fundit