Flash News

KRYESORE

Çfarë kërkon të arrijë ish-ministri me rolin e dyfishtë të heroit dhe viktimës?

Çfarë kërkon të arrijë ish-ministri me rolin e

Alfred Lela

Ish-ministri i Brendshëm në qeverinë e Ramës I, Saimir Tahiri, duke filluar nga tetori i vitit të shkuar u bë dëshmitar i rënies pikiatë të aksioneve të veta në bursën politike brenda Partisë Socialiste. Tanimë, lufta e tij bëhet për mbijetesë, jo politike por individuale.

Deputeti ka dorëzuar mandatin para disa ditësh dhe është tashmë një individ pa mburojë të posaçme, me atributet politike të një ish-ministri dhe ish-deputeti. Megjithatë, atë pushtet që z. Tahiri nuk e ka më në politikë, vazhdon ta ketë në infomacion.

Është gjithnjë e vlefshme maksima ‘informacioni është pushtet’.

Deklarata e gjatë e tërheqjes së Tahirit nga Kuvendi pasqyron, në masë të madhe, edhe kolonat ku ai do ta bazojë mbrojtjen publike.

Dy prej tyre, ndoshta më kryesoret, nuk i duhen lejuar ish-ministrit të Brendshëm, sepse janë të pavërteta dhe përbëjnë përpjekje për të pështjelluar publikun, i cili më së shumti përdor emocionet dhe jo logjikën për të interpretuar ngjarjet.

Toni kryesor që që përshkonte deklaratën e Tahirit ishte një përzierje e dy karaktereve, atij të viktimës dhe të heroit. Si viktimë, ish-ministri hidhte në skenë thikën e tradhtisë që i kishin ngulur kolegët pas shpine. Kur i përmendte, apo kur i nënkuptonte, ‘jagot’ në PS shfaqeshin nën emrat e Fatmir Xhafajt, Erion Velisë, e ndopak Edi Ramës.

Nën tisin e viktimës, e dikujt që po i bien në qafë, ai përdorte edhe statusin e babait duke sjellë në skenë të birin. Një teknikë e mëprashme e tij, qëkur doli në sipërfaqe dosja e Prokurorisë së Katanias.

I prerë në besë, i lënë në baltë, biri, babai, bashkëshorti, e ‘xhaketa’ të tjera të ngjashme përdoren për të fituar empatinë e publikut, i cili identifikohet me fatin e dikujt që i shfaqet si i ngjashmi i vet.

Një mantel tjetër i hedhur supeve imagjinare prej ish-deputetit është ai i heroit. Kjo bëhet, më mirë se me çdo gjë, me anë të anti-heroti, që në rastin e tahirit janë kundërshtarët dhe armiqtë politikë të jashtëm. Për këtë qëllim ai identifikoi fort si ‘sjellës të fatkeqësisë’ së tij Metën, Monikën, Berishën, Bashën, e ndonjë tjetër. Pa harruar edhe ambasadorët e huaj, të cilët në fakt kanë qenë kryesisht të heshtur në raport me të.

Kjo teknikë i lejon atij që të mbledhë empati në bazën socialiste ku urrejtja për kundërshtarin politik është në sipërfaqe dhe e gatshme.

Por, jo vetëm kaq. Duke vizatuar një trajektore të gjerë kundërshtarësh, ku përfshihen ‘ujq’ të vjetër e të rinj, të të gjitha ngjyrave e shijeve, Tahiri i kriojon vetes edhe një përmasë tjetër dhembshurie apo animi, që është sëmbimi i përhershëm te qenia njerëzore për atë që konsiderohet si ‘underdog’, pra më i dobti, i mbetur vetëm në cep të ringut, kundër më të fuqishmëve dhe vetë fatit.

Çfarë e bën Saimir Tahirin të pabesueshëm në rolet e kombinuara të viktimës dhe heroit, dhe pse ai nuk mund të ‘falet’?

Ish-ministri i Brendshëm është ndër aktorët kryesorë në fabrikimin e asaj që duhet konsideruar si ‘gjendje e re shoqërore’.

Çfarë është kjo? Me ‘gjendje të re shoqërore’ duhet kuptuar i gjithë rrjeti i një zejtarie, më parë lokale, të mbjelljes dhe trafikimit të drogës që, nën orën e Tahirit si ministër i Brendshëm, u shndërrua në industri të lehtë kombëtare me mbështetje të rëndë të strukturave shtetërore të rendit dhe sigurisë.

Që kjo të ndodhë, duhet medoemos një visto politike. Në ministrinë e Brendshme përfaqësuesi politik është ministri. Kjo ‘leje politike’ për vartësit dhe të gjithë strukturën jepet me anë të veprimit ose të mosveprimit. Në rastin e parë kemi implikim direkt dhe, në të dytin iplikim të tërthortë në formën e paaftësisë epokale për të bërë detyrën.

Për cilën e di veten fajtor Saimir Tahiri?

Nëse, siç thotë opozita, ish-ministri ka luajtur ‘sherifin’ në skemën e dikujt tjetër, në këtë rast të Kryeministrit, ai sërish konsiderohet fajtor me akuzën e bashkëpunimit.

Sigurisht, Tahiri mund t’i mohojë të dyja dhe këtë ka për të bërë. Megjithatë, ‘gjendje e re shoqërore’ ishte aty për të gjithë dhe të gjithë e panë.

E pamohueshme siç është, ajo prej kohësh u ka dalë dëshmitar në gjyqin publik si Tahirit ashtu dhe gjithë hierarkisë policore dhe qeveritare.

Të fundit