Flash News

OP-ED

Çfarë ndryshoi Reforma në drejtësi që gjyqet të mos merren peng nga kriminelët?

Çfarë ndryshoi Reforma në drejtësi që gjyqet të

Flamur Vezaj

Dritan Dajti, prej vitit 2009 ka bllokuar procesin e tij gjyqësor dhe tashmë po kopjohet në mënyrë perfekte edhe nga miku i tij, Emiljano Shullazi, dhe “ushtaret” e tij. Dy personazhet e njohur të botës së krimit, Dritan Dajti e Emiljano Shullazi, edhe nga qelia e burgut po vazhdojnë miqësinë mes tyre duke ndjekur të njëjtën strategji për zvarritjen e procesit gjyqësor. Loja me avokatët tashmë është bërë zakon pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda nga këta dy personazhe që prej vitesh kanë sfiduar drejtësinë në Shqipëri.

Dajti prej vitesh ka bllokuar procesin gjyqësor, tashmë në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, duke mos lejuar togat e zeza të shprehen mbi vendimin për akuzën e vrasjes së  4 punonjësve të Policisë së Shtetit. Fillimisht pranë Shkallës së Parë dhe tashmë edhe pranë Apelit për Krime të Rënda, duke zvarritur pafundësisht këtë proces me lojëra proceduriale dhe arsyetime banale. Vetëm e vetëm me shpresën se gjyqtarët që po gjykojnë atë nuk do të kalojnë “Vetingun” dhe procesi ndaj tij do bllokohet e me ardhjen e gjyqtarëve të tjerë do ta rikthejë dosjen për gjykim përsëri në Shkallën e Parë, ku të përfitojë gjykim të shkurtuar dhe, automatikisht t’i shpëtojë dënimit me burgim të përjetshëm.

Këtë strategji, siç duket është duke ndjekur edhe miku i tij Emiljano Shullazi me “ushtarët” e vet pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda ku, nën “këshillimin” e Dajtit po zvarrit vazhdimin e procesit gjyqësor. Edhe këta të pandehur duke shfrytëzuar pafuqinë proceduriale të Gjykatës po vazhdojnë lojërat me mungesën e avokatëve, me të vetmin qëllim zvarritjen e dhënies së pretencës së Prokurorisë dhe më pas vendimin e Gjykatës.

Siç duket edhe këta të pandehur presin që prokurorët dhe gjyqtarët e çështjes t’i nënshtrohen “Vetingut” me shpresën e largimit të tyre, dhe më pas me strukturën e re të Prokurorisë së Përkohshme të përfitojnë lehtësimin e pozitës penale.

Mendoj se disa prej “reformatorëve” të drejtësisë, edhe pse ishin të njohur me praktikën zvarritëse të gjyqit “Dajti”, nuk morën asnjë iniciative (me dashje) për të ndryshuar procedurën penale që lojërat me avokatët në proces gjyqësore të evitoheshin. Mos ndryshimet e kësaj procedure, i ka lënë hapësirë edhe të tjerëve si Shullazi me “kompani” të bëjnë të njëjtat lojëra dhe sfidojnë drejtësinë.

“Reformatorët”, me sa duket, kishin si qëllim të vetëm largimin e disa prokurorëve dhe gjyqtarëve, emrat e të cilëve janë listuar nga subjektet politike që në disa raste po zbatohen me përpikmëri nga “Vetingsat”.

Këta “reformatorë” na “mbushën” mendjen se po largojnë të korruptuarit nga sistemi, por nuk na thanë se proceset në emër të reformës do zvarriten pa fund, siç po ndodh, dhe që rrezikon që shumë kriminelë të lirohen për shkaqe proceduriale të afateve të paraburgimit.

Mos u habisni kur të shikoni në rrugë kriminel të rrezikshëm.

Të fundit