Flash News

KRYESORE

Çfarë do të ndodhë javën e ardhshme në Tiranë? Qytetarët nuk presin opozitën por organizohen vetë për protestat

Java e ardhshme do të jetë një javë protestash në Tiranë. Situata e përkeqësuar në vend po detyron qytetarët të organizohen vetë dhe të dalin në protesta dhe të mos mbeten të varur nga partitë politike.

Naftëtarët e Fierit dhe Ballshit kanë paralajmëruar rikthimin në Tiranë për të protestuar për shkak të mbylljes së ARMO-s dhe rrogave të prapambetura. Pas dy ditë protestash përpara Prefekturës së Fierit, naftëtarët kanë njoftuar se do të nisen në këmbë drejt Tiranës, të hënën e 22 janarit.

Por nuk janë vetëm naftëtarët që do të protestojnë pasi të mërkurën, më 24 korrik, është lajmëruar për një protestë nga studentët e Universitetit të Tiranës. Studentët do të nisën në këmbë nga Korpusi Qendror drejt Kryeministrisë për të protestuar për tarifat e larta që u duhet të paguajnë. Nga viti në vit, tarifat e universiteteve kanë shënuar rritje, duke vështirësuar gjendjen ekonomike për shumë familje që kanë fëmijët studentë në Tiranë dhe në universitetet e rretheve.

Kjo situatë i jep të drejtë përfaqësuesve të opozitës kur deklarojnë se protesta e së shtunës, më 27 janar, vjen si revoltë e qytetarëve dhe jo si nevojë e partive politike. Janë të paktën dy grupe, naftëtarët dhe studentët, që do të protestojnë pa pritur opozitën, ndërsa parashikohet një pjesëmarrje e lartë nga qytetarët në protestën e 27 janarit, për të shprehur pakënaqësinë për gjendjen ekonomike dhe për rritjen e korrupsionit dhe krimit në vend.

Të fundit