Flash News

KRYESORE

‘Condad’ e procedoi penalisht se i denoncoi ushqimet e skaduara, ekonomisti shqiptar reagon sërish: Kam fituar! Prej 2 ditësh kompania ka ndryshuar

‘Condad’ e procedoi penalisht se i denoncoi ushqimet e skaduara,

Eksperti i ekonomisë Ilir Ciko ka reaguar sërish me një postim të gjatë ndaj supermarketit Conad në Tiranë, pasi administratori italian njoftoi pak ditë më parë se kishte nisur ndaj tij një procedim penal për akuza te rreme dhe shpifje.

Kujtojmë se Ciko denoncoi me foto dhe fakte se si mbi produktet ushqimore (një pako me kërpudha) janë fshirë datat e skadencës origjinale dhe tyre ishin vendosur të reja nga ‘duar shqiptare’.

Ciko ka reaguar sërish në rrjetet sociale, i cili shkruan se është në gjendje të përballet me supermarketin e njohur deri në gjykatën e Hagës, por edhe se prej dy ditësh Conad ka ka ndryshuar mënyrën e etiketimit të kërpudhave të tregtuara, që ai i denoncoi.

“Prej dy ditësh, kompania ka ndryshuar mënyrën e etiketimit të kërpudhave të tregtuara. Ndryshe nga sa ishte deri të dielën, etiketa në shqip nuk përfshin më datën e ambalazhimit dhe përdorimit. Më e rëndësishmja - etiketa në shqip nuk vendoset mbi atë në italisht dhe data e paketimit në etiketën italiane, nuk hiqet. Pra, sot konsumatori shqiptar mund të shohë direkt datën e paketimit të produktit në Itali, duke mos dyshuar (apo qenë i mashtruar) nga datat e paketimit të vendosura në Shqipëri”, shkruan ekonomisti.

Reagimi i plotë:

Për conadët dhe tavllën, në Shqipërinë që vuan.

Miq - të njohur e të panjohur - ju falenderoj me plot zemër për mbështetjen dhe kurajon pa masë që kam marrë këto ditë ndaj denoncimit të praktikës së gabuar ndjekur nga Conad në Shqipëri, në disa nga produktet e tregtuara prej saj. Por, më lejoni t’u them së pari një lajm të mirë, që më shtyu të shkruaj këto rradhë: SË BASHKU KEMI FITUAR. Po. Prej dy ditësh, kompania ka ndryshuar mënyrën e etiketimit të kërpudhave të tregtuara. Ndryshe nga sa ishte deri të dielën, etiketa në shqip nuk përfshin më datën e ambalazhimit dhe përdorimit. Më e rëndësishmja - etiketa në shqip nuk vendoset mbi atë në italisht dhe data e paketimit në etiketën italiane, nuk hiqet. Pra, sot konsumatori shqiptar mund të shohë direkt datën e paketimit të produktit në Itali, duke mos dyshuar (apo qenë i mashtruar) nga datat e paketimit të vendosura në Shqipëri.

Është një hap në dukje tepër i vogël, por i rëndësishëm. Ka plot e plot gjëra që sërish nuk shkojnë si duhet, por fakti është që kompania ka reaguar. Ndoshta për shkak të zënies me presh në duar, ndoshta nga komentet e shumëta që pati për këtë çështje, ndoshta nga që avokatët mund t’i kenë sugjeruar të lexojnë ligjet shqiptare, ndoshta nga që dikush prej një telefonate mund të jetë detyruar të lërë përgjysmë tavllën. Më poshtë për tavllën.

E shoh pozitivisht dhe e them pa kurrëfarë kompleksi këtë veprim, pavarësisht motiveve që nuk mund t’i paragjykoj, sikurse jam tepër i përgjegjshëm dhe çmoj çdo vlerë tjetër pozitive që Conad përfaqëson në Shqipëri: miliona euro të investuara, dhjetra të rinj e të reja që punojnë 24 orë aty për të na sjellë në treg produkte europiane, prodhuesë lokalë që shesin aty prodhimet e tyre apo shumë restorante e aktiviteteve që varen nga bashkëpunimi me kompaninë. Por e rëndësishme është se reagimi i publikut solli reagimin e kompanisë ndaj mësimi i parë nga kjo histori krejt rastësore e ditëve të fundit tregon se duhet të reagojmë me më shumë forcë ndaj çdo padrejtësie që na rrethon. Ngrini zërin, rebelohuni, kërkoni të drejtën dhe befas do të shihni se në këtë vend ka shumë zëra që do ju bashkohen, e kështu , nga pak, mund të fitoni. “Historia e njerëzimit ka nisur me një akt mosbindjeje dhe nuk përjashtohet që të përfundojë nga nënshtrimi” – fjalët e arta të Erich Fromm 40 vite më parë, rezonojnë edhe më fort sot.

Problemi është se pyetja me të cilën ngrita denoncimin publik ndaj rastit flagrant tek Conad, ende na mbetet pa përgjigjje. Conad u vendos në epiqendër të kritikave që pasuan, por natyrisht problemi nuk qëndron vetëm tek Conad, të gjithë dëshmojnë se thuajse çdo market në vend përdor metoda të ngjashme, të papranueshme për një vend europian. Shumë konsumatorë blejnë në to sepse konsumatori ndërton pritshmëri besimi që një kompani europiane do të sjellë në treg produkte të standarteve europiane, për të cilat ia vlen të paguash një çmim më të lartë se i tregut, mjerisht edhe më i lartë se i Europës, por të paktën merr sigurinë e cilësisë, që për shumë produkte (si kërpudhat) vështirë ta gjesh në rrugët me pluhur e tym. E kur kjo marrëdhënie besimi cënohet e ti sheh se për një çmim të lartë merr një produkt të prishur apo ndesh në falsifikimin e datave, natyrisht do revoltohesh, pavarësisht sa i kënaqur mund të jesh nga produktet e tjera të kompanisë. Ndaj edhe pyetja që shtrova, mbetet ende e hapur, dhe e përsëris, kush na mbron nga Conad? Po përtej këtij rasti, fatmirësisht të korrigjuar tashmë? Po përtej Conad, nga Spar, Big Market, Eco Market, nga cilido, përfshirë dhe dyqanin poshtë shtëpisë?

Problemi lidhet me tavllën që përmenda, të cilën për dreq, nuk e mësova dot kurrë si lojë. Le të flasim për të pasi është kudo e pranishme, edhe pse nuk duket. Historia e tavllës, lidhet me një traditë, tashmë të sanksionuar prej vitesh demokracie, e cila na tregon se me ndërrimet e drejtuesve të institucioneve shtetërore që kanë përgjegjësinë për kontrollin e tregut, ka një rregull të panjohur për publikun e gjerë. Sa herë këta, shefat e tyre apo shefat e shefave të tyre ndërrohen, qoftë nga një parti në tjetrën, qoftë edhe brenda të njëjtës parti, nuk i dorëzojnë njëri tjetrit dosje, plane, sekrete, lista, rregullore apo letra mirëseardhjeje në detyrë.

E vetmja gjë që kalohet si e shenjtë nën dorë, përmes një rituali thuajse masonik, është një kuti loje tavëll, e cila ruhet me besnikëri të lartë deri në dorëzimin e detyrës. Tavlla është lojë që kërkon angazhim serioz dhe aftësi të veçanta për të arritur në nivelet mjeshtërore, për të cilat ne kemi rekordmenë, europianë e botërorë. Edhe sikur të mos ta njohin fare lojën me fillimin e detyrës, realiteti na tregon se shumica e tyre bëhen shpejt profesionistë, në mos, hidhen në rrugë.

Duke luajtur tavëll ti kupton se punët venë mbroth. Madje sa më shumë të luash, ditë, drekë, natë, aq më shumë puna të shijon, e njerëz të lumtur të rrethojnë e kujdesen më tepër për ty. Duke luajtur tavëll, ti mund të filozofosh online për Shqipërinë që duam. Duke luajtur tavëll, ti mund të bësh krejt rehat like&share tek postimet e shefit. Duke luajtur tavëll ti mund të fshish komente negative e hapësh profile fallco e anonime, pa ditur kush, që ti ndërkohë po luan tavëll. Duke luajtur tavëll, në këtë vend bëhesh doktor shkencash. Duke luajtur tavëll, ti nuk e kupton se ditët, javët, muajt e vitet kalojnë dhe një ditë, që vjen shpejt për ty, do të të duhet të dorëzosh atë që ka qenë më e shtrenjta – tavlla.

Tavlla është institucion, institucioni është tavëll. Nën pushtetin e tavllës sot ka dhimbje të heshtur për vrasjen e shpresës, pranim të përdhunimit, bashkëjetesë me krimin, nënshtrim ndaj arrogancës, sundim të mediokritetit, zymti, largim, harrim. Nën mbretërimin e tavllës sot nuk ka Shqipëri që duam - ëndërr larg e zvetënuar, thërrmuar e dërrmuar mes llumit të tenderave e makutërisë së atyre që kurrë nuk e kuptuan se nuk u bë tepsia sa Shqipëria, por është katandisur Shqipëria sa tepsia. Nën thundrrën e tavllës, nuk ka Shqipëri që duam. Ka Shqipëri që vuan.

Njëzet vite më parë kam patur rastin të marr pjesë diskutimet e asokohe për përgatitjen e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Duke ju referuar përvojës së Kroacisë që e ndiqnim sa mundeshim si model, mes tjerash, debatohej edhe për datën finale të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. A n ë t a r ë s i m i t, jo hapjes së negociatave. A e dini që edhe për më skeptikët e asaj kohe, përfshirë këtu edhe përfaqësuesit e BE-së, kjo datë ishte viti 2020? Deri në 2020? Kaq larg? Njëzet vite? Kështu pyesnim atëherë njëri tjetrin me habi, idealizëm e shpresë se do ja dilnim të ndiqnim nga pas Kroacinë në rrugën e Europës që po zgjerohej.

E pra, nj ë z e t vite më pas, ja ku jemi sot në këtë prag të 2020, ku rrimë me shpresë të pashpresë se dikur do hapim negociatat me Bashkimin Europian. Për anëtarësimin, nuk ka horizont Arabie që ta tregojë. Kanë kaluar njëzet vite dhe jemi në vendnumëro, si ai që ka humbur busullën, dëshirën për të jetuar, forcën për të lëvizur, thjesht luajmë tavëll. Kanë kaluar njëzet vite dhe sot kemi në qeveri ministra që kanë qenë po ministra edhe njëzet vite më parë, kryetarë që kanë qenë po kryetarë njëzet vite më parë, deputetë të korruptuar që kanë qenë po deputetë të korruptuar njëzet vite më parë. Ç’ka ndryshuar është një prani, medet shumë më e lartë, e një sëré banditësh, halldupësh, servilësh, batakçinjsh e zuzarësh që sot e mot veç luajnë tavëll në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, oh, patjetër si përfaqësues të natyrshëm të shtresave të shoqërisë nga vijnë, një amalgam i llumit që mbjell e pjell llumin, që prodhon lot e vret shpresë në çdo qelizë të Shqipërisë që vuan, që zapton e legalizon me përdhunë e padrejtësi. A mund të besojmë se është vërtet bash kjo mugëtirë e urryer, ajo nga e cila duhet të presim shpresën nga do të mbijë e ardhmja e këtij vendi? Kanë kaluar njëzet vite, dhe sërish jemi vendi më i varfër në Europë. Më i korruptuar në Europë. Më i pashpresë në Europë.

Të gjithë fajin e ka tavlla. Është tavlla që na varfëron, tavlla që ndan tendera, tavlla që di të mbjellë beton, tavlla që shkruan doktoratura, tavlla që shpik PPP inovative përtej çdo fantazie, tavlla që korrupton, tavlla që dhunon, vonon e përçmon. Tavlla që prodhon facebook, ekspozita, realitete virtuale, drone, 3d e 4K. Tavlla që ripjell tavllën e vret e pret çdo filiz që kërkon jetë. Tavlla që s’lë institucionet të lëvizin as edhe një grimë kur i pari i shtetit u tregon me gisht kapeni hajdutin. Tavlla që prodhon vettingun, vettingu që prodhon tavllën. Tavlla që u lë hapësirën të gjithë conadëve që na rrethojnë të trashin çdo ditë pak e nga pak zullumet e vogla, deri sa vjen një ditë, ku s’mban më. E na duhet të ulërasim. Të ulërasim, që të kthehen në binarët që u takojnë.

Ndaj, siç dhe Saramago thoshte dikur, le të ulërasim.

Ndaj çdo padrejtësie.

--------------------------------

Së fundi, dy fjalë të drejtpërdrejta për Conad Albania, pas reagimit publik të kompanisë ndaj denoncimit, ku tregojnë se kanë nisur procedim penal ndaj meje për akuza të rreme dhe shpifje, të cilat dëmtojnë imazhin e kompanisë. Vlerësoj pozitivisht ndryshimin e mënyrës së etiketimit të produkteve nga kompania dhe pavarësisht motiveve, uroj që kjo të kryhet për çdo produkt dhe një standart i tillë të jetë i pakthyeshëm e të zbatohet pa përjashtim nga çdo market që tregton produkte ushqimore në Shqipëri. Besoj se reagimet që kompania ka marrë në faqen zyrtare mbi këtë temë janë të mjaftueshme për të kuptuar që shoqëria shqiptare është ende e ndjeshme ndaj kësaj çështjeje, se problematika nuk zgjidhet duke anatemuar personat, dhe se bumerangu mund të fluturojë lehtësisht shumë larg, deri edhe përtej Italisë. Përballja me drejtësinë për denoncimin publik nuk më krijon kurrfarë kompleksi, pasi provat që disponoj mbi këtë temë dhe ato pafund që kam marrë këto ditë nga të njohur e të panjohur, janë plotësisht të mjaftueshme për avokatët që ta ndjekin çështjen me tërë kujdesin e merituar.

Ama, nëse praktika të tilla të gabuara rinisin e përsëriten sërish në të ardhmen, për të drejtën e qytetarëve premtoj se nuk do të ngurroja aspak që të shihemi jo në gjykatë e prokurori, por deri edhe në gjykatën e Hagës për krime kundër njerëzimit.

Punë të mbarë!

Të fundit