Flash News

KRYESORE

Covid-19 në këndvështrimin e sociologut Zyhdi Dervishi: Çfarë do t’i ndryshojë pandemia shoqërisë shqiptare

Covid-19 në këndvështrimin e sociologut Zyhdi Dervishi:

Shoqëria nuk do të jetë më e njëjta pas pandemisë së Covid-19. Ky është një nga mendimet më të shpeshta të ditëve, e javëve që po kalojmë. Të gjithë e ndjejmë se ndryshimi po na përfshin individualisht, që nga mënyrat e sjelljes e zakonet e përditshme e deri tek mënyra e të menduarit.

Sociologu dhe profesori Zyhdi Dervishi, ka ndarë me Politiko.al kënvdështrimin e tij sociologjik për situatën. Frikën më të madhe profesori e ka për kufizimin e lirisë, sidomos për shoqërinë shqiptare dhe mendon se perceptimi i saj ka filluar t’i shfaqë pasojat që tani. Ai argumenton se pas pandemisë shtetet do fillojnë të shtojnë kufizimet. Dhe nuk mendon se kjo është masë politike. Sepse çdo shtet ka të drejtë të ruajë qytetarin e tij.

Ndërsa sa i takon marrëdhënieve ndërpersonale, profesori shprehet se ‘ftohja’ do të jetë e pashmangshme: më pak ceremoni kolektive, më shumë individualizim.

Për profesorin një gjë është e sigurt: marrëdhëniet mes qytetërimeve kryesore  do të ndryshojnë.

Cili është mendimi juaj për pasojat që do të sjellë Covid-19 në shoqëri?

Njerëzimi ka përjetuar pandemi dhe më parë, por ato kanë qenë disi më të kufizuara, sepse ritmi i përhapjes ka qenë më i ngadaltë. Komunikimet mes popujve ishin më të pakta dikur.

Pandemitë përhapeshin më ngadalë, ndërsa me masivizimin e komunikimit, kjo pandemi që po kalojmë do të ketë pasoja më të rënda. Sepse në sajë të një komunikimi intensiv njerëzimi s’ mund të mbetet i paprekur dhe pa pasoja. Vetëm fise të veçanta që jetojnë jashtë qytetërimit botëror, vetëm ata mund të mos preken.

Kjo pandemi ka shije të frikshme. Më shumë ka frikë reale, tension. Më shumë ankth, se sa viktima. Për të konkretizuar idenë mund të themi se gripi spanjoll i 1918 mori 21 milionë jetë njerëzish. Urojmë që shifrat të jenë këtu ku janë, e mos ketë më humbje jetësh. Por, pandemia është dukuri komplekse që ka ndikuar e do të ndikojë në ristrukturimin e marrëdhënieve në shkallë botërore, e sidomos mes shteteve të mëdhenj e të fuqishëm. Këto marrëdhënie mund të ristrukturohen në shumë plane. Kjo mund të prekë edhe jetën e njerëzve të thjeshtë të këtyre vendeve.

Marrëdhëniet mes qytetetërimeve të mëdha kanë nisur përplasjet. Për shembull, Shtetet e Bashkuara, Kina kanë përplasje të mëdha me akuza që i kanë zyrtarizuar. Ne s’mund të gjykojmë si qëndron e vërteta.

Por një gjë është e sigurt, që marrëdhëniet mes qytetërimeve kryesore  do të ndryshojnë.

A mendoni se në përfundim të pandemisë do të kemi ndryshime të rregullave të funksionimit të një sëre sistemesh në shoqërinë botërore në përgjithësi dhe në shoqërinë shqiptare në veçanti?

Shkalla e lirisë kam frikë se s’do të jetë më si më parë…

Lirinë ne shqiptarët e fituam vonë, por kam frikë se do të na kufizohet sërish. Shtetet për të ruajtur popullsinë e tyre do marrin masa, do të ketë kontrolle në kufi dhe në askpetin shëndetësor.

Për shembull njerëzit që kanë sëmundje infektive mund të mos lejohen të hyjnë në kufi. Kjo nuk është masë politike. Sepse çdo shtet ka të drejtë të ruajë qytetarin e tij.

Në një farë mënyre globalizimi i ekonomisë ka bërë që shumë rajone të specializohen në prodhimin e produkteve të ndryshme. Koronavirusi do të ndikojë që shumë shtete t’i kthejnë sytë nga prodhime që të jenë të mjaftueshme për të menaxhuar nevojat e popullsisë për ushqim. Do të prodhohen produkte që ju duhen njerëzve në shkallë botërore. Kjo do të bëjë që tregtia të ristrukturohet. Pra, do të ketë ristrukturim në marrëdhëniet tregtare mes shteteve. Unë mendoj se kjo pandemi ka më shumë hije të rëndë, e cila ndikon në ristrukturimin e marrëdhënieve sesa ka ndikime reale.

Jetëgjatësia mesatare e popullsisë është rritur ndjeshëm. Në shumë vende në pension dalin burrat 62 vjeç. Mirëpo në rast se ata kanë investuar në punën e tyre nuk kanë shumë mundësi të marrin pensione të mira. Kam përshtypjen që do ristruktrurohet edhe mosha e pensionit, si për burrat edhe për gratë. Nuk duhet parë me dramacitet rritja e moshës së pensioneve.

Ceremoni me më pak njerëz…

Një aspekt shumë i rëndësishëm i ristrukturimit është rritja e shkallës së atomizimit të shoqërisë. Në terma sociologjike kjo do të thotë rritje e shkallës së individualizimit të mënyrës së jetesës. Njerëzit marrin pjesë në më pak ceremoni të gjera.

Nuk mbajnë shumë lidhje, mbajnë distancë. Kjo është një karakteristikë e shoqërive post-moderne e ka nisur të zhvillohet me ritme të shpejta pas 1990 edhe në shoqërinë shqiptare. Dikur njerëzit ishin të lidhur shumë. Edhe kolegët e punës, për shembull pas punës pinin kafe bashkë. Më pas kjo ndryshoi.

Mendoj se koronavirusi do ta përforcojë më tej këtë prirje, pra distancimin. Njerëzit do të distancohen akoma e më shumë. Frika për tu infektuar do i nxisë njerëzit të ruajnë distancën sociale.

Çfarë pasoja mund të sjellë izolimi?

Ka një problem kjo lloj ftohtësie që po ndodh mes njerëzve. Është një mburojë për të mos pasur hijen e dyshimit. Njerëzit do të thonë pse ti jap dorën tjetrit kur mund të marr virusin.

Kjo ka anët pozitive dhe negative. Distancimi provokon edhe strese. Njerëzit e prirur për depresion janë më të rrezikuarit.

Si ndikon situata e pandemisë brenda marrëdhënieve në famije?

Në marrëdhëniet mes çifteve sidomos situata e pandemisë ndikon dukshëm. Mendoj se pandemia ka forcuar marrëdhëniet e forta. Qëndrimi i imponuar nga ana tjetër dobëson lidhjet e dobëta.

Një familje e shëndoshë duke qëndruar bashkë shfaq gjëra më të bukura që në ritmin e përditshmë të jetës nuk i shfaq dot. Unë mendoj se një problem i madh në shoqërinë shqiptare janë ato çifte që janë divorcuar dhe jetojnë në një banesë. Problem janë dhe ato çifte që si rregull duhet të marrin urdhër mbrojtje. Për mua do ishte mirë që shteti të hapte një sektor punësimi për gratë e dhunuara nga burrat që ju duhet të ndajnë të njëjtën banesë. Për shumicën e e familjeve në Shqipëri që kanë gjendje të mirë ekonomike kjo situatë nuk është problem. Problem është për familjete varfra që s’ kanë as telefon as teknologji.

Si mund ta kalojnë sa më lehtë njerëzit këtë situatë? Dhe kush ja del më mirë?

Për mua kjo situatë duhet kaluar, nuk duhet ta përjetojmë shumë keq. Njerëzit duhet të merren me punë krijuese, si shkrimarët, studiuesit, gazetarët. Në punën tonë ne disa orë i kalojmë në rolin e murgut, të izoluar. Në kuptimin e mirë të fjalës. Në këtë aspekt nuk duhet marrë aq me negativitet.

Por, sot kemi disa avantazhe të mëdha që na ofron teknologjia e komunikimit. Sot mund të kesh të afërm larg e të komunikosh nga afër falë teknologjisë.

Për mua për ta kaluar situatën ndikojnë shumë dhe programet televizive. Fatmirërisht kemi shumë kanale me programe të larmishme, kulturore, artistike që na i lehtësojnë gjendjen.

Një kategori njerëzish që kanë kaluar situata depresioni duhet të mbahen nën kontroll nga të afërmit sepse harrohen shpesh. Sepse atyre mund tu agravohen sëmundje në situata të tilla.

Disa këshilla për nxënësit e studentët

Për nxënësit e studentët do të sugjeroja të afrohen më shumë me librin. Të rinjtë e adoleshentët t’i venë objektiva vetes që  ti realizojnë, që të mos e ndjejnë veten të burgosur.

Ti venë përpara disa gjëra që ta shfrytëzojnë kohën në mënyrën e duhur, të jenë racionalë në këtë pikë.

Mendoj se në programet e shkollave tona duhet të përshkallëzohen, të shtohen njohuri për menaxhimin e situatave si tërmeti e pandemitë. Të përfshihen në programe shkollore, që njerëzit të përballojnë sfida të tilla.

Njeriu duhet të ketë ambicie sikur do jetojë 400 vjet, por të mendojë edhe sikur do jetojë në ditën e fundit.

Politiko.al/V.Sh

Të fundit