Flash News

KRYESORE

Çudia e Shqipërisë me internetin; të 20-ët në botë për shpejtësinë nga celulari dhe ndër të fundit për shpejtësinë në kompjuter

Shqipëria rezulton në 20 shtetet me shpejtësinë më të lartë të internetit në telefonat celularë, por ndër vendet e fundit në botë sa i përket shpejtësisë në lidhjet kompjuterike përmes broadband. Ky rezultat, i përllogaritur në Indeksin Global SpeedTest 2018, për shtatorin 2018, rendit ekonomitë botërore sipas shpejtësisë së lëvizshme (në celular) dhe asaj fikse, në baza mujore.

Sipas të dhënave, Mesatarja Globale e shkarkimit në celularë, është 23,64 Mbps, ndërsa e ngarkimit 9.34 Mbps. Shqipëria renditet e 20-ta në botë, me shpejtësi shkarkimi 42.52 Mbps, ndonëse me një shkallë rënëse krahasuar me gushtin 2018. Sipas këtij kriteri, Shqipëria fiton garën rajonale, ku lë poshtë Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Bosnje dhe Hercegovinën. Sipas indeksit, vihet re rritja e shpejtësisë për Malin e Zi, për të cilin përllogaritet i renditur në vendin e 22 në botë, me plot 15 shkallë përmirësim nga studimi i mëparshëm. Në botë, i pari rezulton Norvegjia, ndjekur nga Islanda dhe më pas, Singapori.

Tjetër panoramë vihet re për Shqipërinë sa i përket shpejtësisë së internetit fiks, broadband. Sipas indeksit, Shqipëria renditet e 89-a, nga 130 shtete të studiuara, sa i përket kësaj shpejtësie, në kompjutera në shtëpi ose punë. Përveçse renditemi krahas vendeve afrikane, jemi të fundit në rajon. Sipas të dhënave, shpejtësia e shkarkimit në Shqipëri është 16.91 Mbps, ku mesatarja botërore rezulton 49.26 Mbps. I pari në listë është Singapori, ndjekur nga Islanda dhe Hong Kongu.

Edhe në një studim të mëparshëm, të website të njohur cable.co.uk, mbi shpejtësinë e broadband në të gjithë botën për 2018, Singapori rezulton në krye të shteteve në botë, kur bëhet fjalë për internet të shpejtë, ndërsa Shqipëria rezulton e fundit në rajon. Në Ballkan, kryeson Serbia e renditura e 50, ndjekur nga Kosova e renditura e 53 në botë, më pas Maqedonia e 68, Bosnja e Hercegovina e 71 dhe Mali i Zi i 74. Sipas këtij raporti, Shqipëria ka zbritur plot 8 shkallë krahasuar me raportin e një viti më parë. (Monitor)

Të fundit