Flash News

KRYESORE

"Çuni i Sajmirit dhe çuni im". Qytetari i drejtohet ish-ministrit: Provoji edhe ti prangat si im bir, dhe fukarai që u burgos se nuk paguante dot dritat

"Çuni i Sajmirit dhe çuni im". Qytetari i drejtohet

Lirim Nezha, një qytetar nga Vlora, ka postuar në profilin e Facebook-ut historinë e arrestimit të të birit 16 vjeçar nga ata që ai quan "policët e Sajmirit", vetëm pse ai kishte dalë xhiro me makinën e të atit. Nezha thotë se i vjen keq për Tahirin si njeri, dhe gati sa nuk i shkuan lot nga keqardhja kur e pa në 'Opinion'. Por, ai i kujton ish-ministrit se ai duhet të mendojë edhe për prangat që kanë provuar të tjerët padrejtësisht: djali i tij, fukarai që nuk paguante dot dritat, e të tjerë.

Teksti i plotë:

Të enjten, gjatë emisionit "Opinion" të Fevziut në "Klan", gati sa nuk më shkuan lot nga keqardhja për njeriun Sajmir Tahiri. U shfaq i zverdhur, me buzën që i dridhej dhe me fjalët që i artikulonte me vështirësi, sidomos kur herë pas here përmendte çunin e vet, për të cilin donte që kur ta kthente kokën pas të mos e përflisnin, dhe të ishte krenar për babain e vet.

Më erdhi sinqerisht keq, sepse ajo që po thoshte është aspiratë prindërore e gjithkujt që ka një, a më shumë fëmijë.

Pastaj, befas m'u kujtua çuni im 16 vjeçar që ca muaj më parë, si adoleshent që ishte, lëvizi disa metra makinën në pronësinë time, e për fatin tonë të keq, policët e Sajmirit, pjesëtarë të "policisë që duam", e kapën në rrugë dhe pa asnjë diskutim e morën adoleshentin, edhe kundër çdo ligji për sjelljen ndaj një minoreni, dhe e çuan në Komisariat të tmerruar. Është vetëm një fëmijë. Nuk është i rritur mes delinkuentësh dhe si i tillë i lexohej frika dhe tmerri në fytyrë teksa befas, nga përkëdhelitë familjare u gjend i rrethuar me policë në një dhomë të Komisariatit. Policët e Sajmirit nuk pyetën fare se si duhej sjellë me një adoleshent; a duhej rrëmbyer si kriminel apo duheshin njoftuar më parë prindërit e tij. Jo, ata e morën makinën dhe çunin dhe e trajtuan fiks si kriminel, edhe pse gjatë atyre metrave që e lëvizi makinën nuk ndodhi asgjë e keqe.

Makinën e bllokuan për më shumë se dy javë dhe çunin, këtë 16 vjecar të brishtë, e proceduan penalisht dhe e vunë përballë togave të zeza, një vend i frikshëm edhe për të rriturit, pale për fëmijët. Dhe ne, familja ime, respektuam ligjin.

Çuni im edhe sot pas një viti është ende duke kryer dënimin penal të dhënë nga drejtesia për të vetmin mëkat, dëshirën djaloshare për të lëvizur ca metra makinën e babait të vet.

Ndërkohë, çuni i Sajmirit ndodhet në shtëpinë e vet, i sajdisur e i mirërritur nga familjarët e vet. Sepse, ai nuk ka gabuar. Dhe nuk ka asnjë arsye të mos gëzojë fëmijërinë e vet.

Por, ajo çka më bëri të shkruaj këto radhë është kapja e Sajmirit me thonj e me dhëmbë pas imunitetit për t’i qëndruar larg, sa më larg togave të zeza.

Sepse janë të frikshme togat e zeza!!!

Janë të frikshme prangat, por këtë nuk e kupton dot kur prangat janë në duart e tim biri.

As në duart e babait të atyre vogëlushëve që humbën jetën në autostradë rrugës për të takuar atin e burgosur për ca tjegulla mbi strehën e tyre.

Nuk e kupton dot as kur prangat janë në duart e atij fakirit që nuk mundet të paguajë faturën e radhës dhe plandoset në qeli e çohet drejt vetëvrasjes.

Se sa të frikshme janë prangat nuk e kupton dot nëse këto pranga të ftohta janë në kyçet e një përdoruesi që në xhep i gjenden 5 gramë hashash.

Nuk e kupton dot ftohtësinë e prangave Sajmir, nëse ato vendosen qoftë edhe në duart e adoleshentit që masakroi një qen, akt pas të cilit bëre mirë qe more iniciativë ligjore.

E pra, duhet t'ja zgjatesh kyçet prangave për të kuptuar se sa të ftohta janë e në fund për të kuptuar edhe se sa e rëndësishme është që në këtë vend duhet bërë drejtësi.

Nisur nga sa thashë më lart, rrotullohem 180 gradë dhe them se edhe Sajmiri është një si unë, sikurse çuni i tij nuk duhet të jetë ndryshe nga çuni im. Edhe Sajmiri duhet t’i jepet drejtësisë dhe të vërtetojë para saj pafajësinë e supozuar dhe të pretenduar.

Fundja, le të shpenzojë ca dhe le ta blejë drejtësinë sikurse bëjnë gjithë soji i politikanëve, por të tregojë ca më shumë burrëri për t’u përballur me të.

Pikërisht këto janë standardet morale, dhe jo ato sipas të cilave nëse nuk është ndëshkuar askush para teje, nuk ka pse t'i të ndëshkohesh. Ka dhe duhet të ketë gjithnjë një herë të parë. Fundja, askujt nuk i ka dalë emri në tabulate trafikantësh. Ty po! Ndaj ke detyrimin të na vërtetosh të kundërtën, në mos, të provosh, jo vetëm ftohtësinë e prangave, por edhe atë të qelisë.

Edhe pse ka për të qenë një qeli VIP dhe kjo më duket e padrejtë!

Të fundit