Flash News

KRYESORE

“CV” e dy bashkëkryetarëve, kush janë Ylber Dogjani dhe Armand Skapi që do udhëheqin negociatat e detit; njëri i specializuar në Greqi

“CV” e dy bashkëkryetarëve, kush janë Ylber Dogjani

Sapo emrat e grupit të negociatorëve të Shqipërisë për marrëveshjen e detit me Greqinë mbërritën në Presidencë, u bënë menjëherë publike për mediat shqiptare.

Mësohet se grupi shqiptar do të ketë dy bashkëkryetarë, një përfaqësues të ushtrisë dhe një nga diplomacia, dhe 10 anëtarë të tjerë.

Gjeneral Major Ylber Dogjani, i cili mban postin e Komandatit të Forcës detare do të drejtojë negociatat së bashku me Armand Skapin, diplomat dhe drejtues në Ministrinë e Jashtme, raporton Politiko.al.

Ylber Dogjani

Gjeneral Dogjani është emëruar në vitin 2015 në krye të Flotës Detare ndonëse arsimi dhe karriera e tij e mëparshme nuk e lidhte më këtë funksion. Më parë, ai ka mbajtur postin e drejtorit të Shërbimit Informativ Ushtarak.

Ai ka lindur në Pukë dhe e filloi jetën ushtarake herët si ‘skënderbegas’ dhe u diplomua në Akademinë Ushtarake.

Pas përfundimit të Akademisë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1985, ka ndjekur dhe ka përfunduar kursin dy vjeçar të Shtabit të Përgjithshëm, në Akademinë e Mbrojtjes “Spiro Moisiu” (2003  -2005) dhe në vitin 2010 përfundoi me sukses studimet në Kolegjin e Mbrojtjes “Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes”.

Gjatë karrierës së tij ka kryer detyra komanduese në nivele të ndryshme në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm si: shef Ofiçine Brigadë, shef i Degës Teknike në Divizion, drejtor i Drejtorisë së Logjistikës në Komandën e Forcës së Bashkuar, zëvendëskomandant në Brigadën Logjistike, drejtor i Drejtorisë së Inspektimit në Ministrinë e Mbrojtjes, komandant i Qendrës së Personel Rekrutimit, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes dhe komandant i Komandës së Mbështetjes.

Ai zotëron gjuhët angleze dhe gjermane.

Armand Skapi

Armand Skapi ka një karrierë të gjatë brenda Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, ku ka drejtuar disa drejtori.

Ai ka lindur në Tiranë dhe është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë.

Skapi ka ndjekur disa specializime ku veçohet kursi për “të Drejtën Ndërkombëtare të Detit”, në Rodos të Greqisë, por edhe kurset për Diplomacinë në Hollandë dhe ai për të Drejtën Ndërkombëtare në Itali.

Së fundmi ka qenë në krye Drejtorisë së Traktateve dhe të Drejtës Ndërkombëtare në Ministrinë e Jashtme dhe më parë ka drejtuar drejtoritë e Afrikës dhe Azisë, Diplomacisë Publike dhe Organizatave Ndërkombëtare.

Ai zotëron gjuhët angleze, franceze dhe italiane.

Të fundit