Flash News

KRYESORE

Data e zgjedhjeve, Rama e Basha sot i shkojnë Metës në zyrë; në presidencë edhe përfaqësues të LSI, PDIU e Hajdari

Data e zgjedhjeve, Rama e Basha sot i shkojnë Metës në zyrë;

Kryeministri Edi Rama si dhe lideri i opozitës, Lulzim Basha i janë përgjigjur ftesës së presidentit Ilir Meta për të diskutuar datën e zgjedhjeve parlamentare 2021.

Sot, ata do t’i shkojnë Metës në zyrën presidenciale për konsultime, në takime të ndara, por me një diferencë kohore rreth orë nga njëri-tjetri.

Kështu, burimet bëjnë me dije se Rama do të shoqërohet dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla rreth orës 11.00, ndërsa një orë më vonë në presidencë pritet të shkojë edhe kreu i PD, Lulzim Basha.

Pas tyre, presidenti i Republikës, Ilir Meta do të takohet edhe me kreun e PDIU-së Shpëtim Idrizi, i cili do të jetë dhe ai pjesë e konsultimeve për datën e zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në periudhën prill-maj të vitit që vjen.

Takimi do të zhvillohet në orën 09:30 në Presidencë dhe pas përfundimit të takimit Idrizi do të mbajë edhe një deklaratë për mediat.

Për konsultimet për datën e zgjedhjeve, pas takimit me Shpëtim Idrizin, kreu i shtetit do të takojë edhe nënkryetarin e LSI-së Luan Ramën dhe në 17:30 me deputeten Rudina Hajdari.

Sipas marrëveshjes për Reformën Zgjedhore që palët kanë rënë dakord disa muaj më parë, zgjedhjet e ardhshme do të zhvillohen në një nga të dielat e periudhës mes datës 15 prill dhe 15 maj.

Të fundit