Flash News

KRYESORE

De Biasi flet për shkarkimin nga Alaves: Si e gjeta skuadrën dhe çfarë arritëm

De Biasi flet për shkarkimin nga Alaves: Si e gjeta skuadrën dhe

Aventura e Gianni De Biasi tek Alaves zgjati vetëm 2 muaj. Drejtuesit e skuadrës spanjolle i quajtën të pamjaftueshëm rezultatet e De Biasi duke e larguar atë. Megjithatë ish-trajneri i Kombëtares thotë për TV Klan se bëri më të mirën dhe nuk e di se ç’duhet të bënte më shumë në aq pak kohë.

“Nuk e di se çfarë kërkonin më shumë. Jam i bindur se kam bërë një punë të mirë. Gjeta një skuadër që pas gjashtë ndeshjesh ishte pa pikë, kishte bërë 1 gol dhe kishte pësuar dhjetë. Me mua pas 7 ndeshjesh shënoi 7. Fituam një ndeshje kupe në transfertë. Besoj se përmirësuam shumë gjëra. Skuadra kishte probleme. Unë kur erdha këtu e mora parasysh riskun dhe pranova, sepse doja të futesha edhe një herë në ligën spanjolle”- tha De Biasi

Menjëherë mediet nisën të afronin Gianni De Biasi me përfaqësuesen e Australisë që është pa trajner, por ai mohon të ketë pasur ndonjë kontakt.

“Për momentin nuk kam asnjë kontakt. Jam ende nën kontratë me Alaves, vetëm nëse do të kem një propozim që do të më kënaqë, do të përpiqem të zgjidh kontratën këtu dhe të shkoj diku tjetër”, deklaroi ai.

Gianni De Biasi ka një përvojë 25-vjeçare si trajner dhe padyshim suksesi më i madh ishte pjesëmarrja me Shqipërinë në finalet e Euro. (Klan)

Të fundit