Flash News

KRYESORE

Debat në Kuvend për ndryshimet në Kodin Penal, Ruçi-deputetit: Me neveri them se gabuat rëndë, kërko falje!

Ka nisur me debate seanca e sotme parlamentare, e para e zhvilluar në kushte të pazakonta që kur vendi u prek nga coronavirusi i ri.

Ka qenë deputeti Ralf Gjoni, i cili pasi kërkoi fjalën për procedurë, ka ngritur shqetësimin se ndryshimet për Kodin Penal duhet të kishin qenë më gjithëpërfshirëse dhe se amendamentet janë prezantuar në mënyrë të fshehtë.

Sipas Gjonit, propozimi i deputetes socialiste, Edlira Bode, lidhur me ndryshimet në Kodin Penal për shkelësit e masave dhe karantinës që parashikojnë dënime shumë të ashpra deri në 15 vite burg, janë në kundërshtim me kushtetutën.

Por, kjo deklaratë ka shkaktuar reagimin e deputeteve sociale në sallë, të cilat i kërkuan Gjonit të kërkojë falje.

“Kërkoj të tërhiqet nga rendi i ditës amendamenti i zonjës Bode. Është i papranueshëm pasi është prezanuar vjedhurazi, pa konsultim publik”, tha Gjoni.

Në debat u përfshi edhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili reagoi ashpër ndaj deputetit Gjoni.

“Mos spekulo me kërkesën për të folur për procedurë. Pavarësisht arsimimit tuaj, me neveri them se gabuat rëndë kur ju i adresuat nismëtares e cila vlen të respektohet dhe aq më pak s’ka vend që të anatemohet me shprehjet që thatë dhe ju kërkoj ta tërhiqni atë që thatë. Amendimet janë bërë në datë 8 prill me një nismë që është depozituar në 10 janar brenda të gjitha rregullave. Diskutimi është bërë në komisionin e ligjeve për 5 orë e gjysëm ku ju keni qenë pjesëmarrës”, tha Ruçi.

Të fundit