Flash News

KRYESORE

Debati / Të ndalohen filmat e kohës së “xhaxhit”? Kush është pro dhe kush kundra

Debati / Të ndalohen filmat e kohës së “xhaxhit”?

Marsel Lela

Mullinj nuk ka më, por era është akoma vërdallë. Bëhet fjalë për erën e komunizmit, e cila, sipas shkrimtarit Agron Tufa, përcillet dhe propagandohet nga filmat e kohës së komunizmit që transmetohen në televizionet shqiptare orar pa orar. Kreu i Institutit  Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Tufa, ka ndërmarrë një nismë për ndalimin një pjese të mirë të këtyre filmave. Në një speciale për Televizionin News 24, Tufa, i ka konsideruar këto filma si bombë që duhen çaktivizuar dhe se do të ishim më mirë pa art, se me akte gjenocidale. Gjithashtu, në faqen e tij në Facebook, Tufa është shprehur se ka marrë edhe kërcënime për shkak të kësaj nisme, duke e bërë publik mesazhin kërcënues. Kjo nismë e mbështetur edhe nga anëtari i AMA-s, Erald Kapri, ka ngjallur debate dhe reagime të shumta, jo vetëm në botën e kinematografisë, por në mbarë opinionin publik. Më poshtë kemi renditur një listë me zërat pro dhe kundër nismës së shkrimtarit Tufa.

 

Kundër

Alion Çaçi:

Ata filma na kanë njohur me aktorët, regjisorët, skenaristët etj, më të mirë që ka pasur vendi. Për të vetmen arsye se ata zgjidheshin me audicione reale, me meritë kush ishte më i talentuar, me arsimin e duhur nga shkolla e duhur që dikur funksiononte shumë mirë dhe prodhonte artistë, jo njerëz që dalin nga shkolla më pak të ditur seç kanë hyrë (përjashtojmë raste).

Muharrem Fejzo:

Është një absurditet pa logjikë e kulturë.  Në filmat tanë është krijimtaria e artistëve më të mirë shqiptarë të artit skenik e kinematografik. Doni të fshini nga kujtesa artin e Naim Frashërit, Kadri Roshit, Sandër  Prosit, Kujtim Spahivoglit, Robert Ndrenikes, Bujar Lakos, Timo Fllokos e dhjetëra aktorëve e regjisorëve, qe me shpirt ndër dhembë, krijuan një pasuri kombëtare gjysme shekullore. Aty është kujtesa e mijëra pjesëmarrësve, kompozitorë, piktorë, operatorë, skenografë, e shumë artistëve të tjerë të mrekullueshëm. Kujt i zuri rrugën gjithë ai arkiv, dëshmi historike e pakontestueshme?!

Alfred Bualoti:

Duhet ta shikosh edhe nga një anë tjetër: që tregojnë çfarë diktati kishte e si trajtoheshin tema të tilla, a ishin reale a jo? Dikush e shikon edhe me këtë sy, nuk e shikon vetëm ashtu. Mund të diskutohet a kanë nivel të dobët, ose jo të këndshëm; cila ka qenë korniza në të cilën duheshin standardizuar, si duheshin futur brenda ideologjisë e duhej vënë me domosdo. Ama që të thuash se apriori, duhet ndaluar, nuk jam për këtë. Se i bie të gjithë filmat këtu, ose në ish-kampin socialist të ndalohen e nuk shkon kjo histori.

Julian Deda:

Nisma për të ndaluar shfaqjen e filmave të para viteve 90', është e gabuar.  Shumë shkurt. Propaganda nuk mund të jetë argument, përderisa shumica e filmave amerikanë janë propagandues të nivelit të lartë. Unë dua të shijoj akoma ato vlera artistike që mbartin ato filma, pavarësisht kushteve në të cilat është krijuar në atë kohë. Kush është me një nivel fare normal inteligjence arrin të bëjë dallimin mes propagandës të asaj kohe dhe artit, s'kemi pse të çensurojmë punën e shkëlqyer të shumë aktorëve të asaj kohe. Mendimi im ky.

Zërat pro

Agron Tufa

Çështja e filmave të Kinostudios Shqipëria e Re, filma të prodhuar në shërbim të ideologjisë komuniste përgjatë diktaturës është një problem, i cili duhet shqyrtuar dhe duhet ndaluar prerazi.

Erald Kapri:

E mbështes fort këtë ide dhe besoj se shfaqja e tyre pa asnjë kriter në media është një dëm publik, një propagandë që shpesh e paraqet regjimin komunsit si “jo edhe aq të keq”.

Jonila Godole

Mbase 1 film i vetem nuk do te perbente ndonje rrezik. Ama 1000 filma PO! Sepse keto filma propagandistike, vetem kane demtuar, vit pas viti, krijuan armiq imagjinare, hodhen balte pa te drejte mbi grupe shoqerore, krijuan realitete fallco, tipizuan njeriun e ri socialist, modelin e shemtuar te te cilit nuk po e shkulim dot nga lekura, krijuan gjasme mite historike bazuar ne broçkulla duke luajtur me emocionet e nje populli te neperkembur dhe qe vuante per liri dhe mevetesi, pa u bazuar aspak ne fakte, po te kesh parasysh dokumentaret propagandues te suksesit socialist qe ende shfaqen ne tv sot pa asnje shpjegim shoqerues.

Saimir Kumbaro

E vërtetë është. E gjithë krijimtaria kinematografike dhe teatrore është në Youtube dhe shikohet pa pagesë. Ndërsa televizionet i japin non stop, pa respektuar ligjin mbi te drejtën e autorit. AMA të disiplinojë tregun mediatik, pastaj të mendojë se si t’i ndaloje filmat, sidomos ata të para vitit 1990.

Të fundit