Flash News

KRYESORE

Dëbimi i ambasadorit iranian/ Bashkimi Evropian ndryshe nga SHBA: Nuk komentojmë, është çështje bilaterale e Shqipërisë

Dëbimi i ambasadorit iranian/ Bashkimi Evropian ndryshe nga SHBA: Nuk

Shqipëria vendosi një javë më parë të dëbojë ambasadorin e Iranit, Gholamhossein Mohammadnia, dhe Mostafa Roodaki, Sekretar i Parë në Ambasadën në Tiranë, duke i akuzuar “për aktivitet në kundërshtim me statusin diplomatik.” Vendimi i Tiranës u përshëndet menjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli, Arabia Saudie dhe Kosova.

Për këtë situatë, që Teherani e konsideron aksion të Uashingtonit për të dëmtuar marrëdhëniet Iran-Evropë, Bashkimi Evropian nuk ka mbajtur një qëndrim publik.

Politiko.al ka kontaktuar nëpërmjet email-it me zyrën e shtypit të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme. Në përgjigjen që ka kthyer ky institucion, që drejtohet nga Federica Mogherini, dëbimi i ambasadorit konsiderohet çështje dypalëshe midis Shqipërisë dhe Iranit.

“Kjo është një çështje dypalëshe dhe nuk i takon Bashkimit Evropian që të komentojë”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e BE-së për Politiko.al.

Ndryshe nga Uashingtoni, Brukseli ka zgjedhur të qëndrojë larg përfshirjes në këtë çështje, pavarësisht se ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, flet vazhdimisht për linjëzimin e plotë të politikës së jashtme të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

“Ministri Bushati theksoi qëndrimin e vazhdueshëm dhe konsistent të Shqiperisë dhe linjëzimin e plotë të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë me BE duke theksuar se kjo politikë i ka rrënjët në vlera dhe norma demokratike që vendet tona po përpiqen të brendësojnë”, thuhet në njoftimin e MEPJ-së, më 31 gusht të këtij viti, ku pasqyrohej takimi dhe deklarata e Bushatit në takimin informal të ministrave të Jashtëm të BE-së, në Vjenë.

Dy shtete të BE-së, Franca dhe Danimarka, janë përballur me situata të ngjashme me iranianët, por ndryshe nga Shqipëria, këto vende kanë përcjellë nota proteste në drejtim të Teheranit, si dhe kanë dënuar disa diplomatë të këtij shteti, por pa arritur në nivel ambasadori.

SHBA dhe BE kanë patur qëndrime të kundërta sa i përket qasjes ndaj Iranit, kryesisht pas ardhjes në pushtet të presidentit Donald Trump. Shefi i ‘Shtëpisë së Bardhë’ ka hedhur poshtë marrëveshjen bërthamore të firmosur nga paraardhësi i tij, Barack Obama, si dhe ka vendosur sanksione të reja ndaj regjimit iranian, ndërkohë që Brukseli i ka dënuar këtë veprime dhe ka deklaruar se bashkëpunimi me Republikën Islamike do të vijojë, ndonëse veprimet e fundit të Teheranit po krijojnë shije të hidhur te evropianët.

Të fundit