Flash News

KRYESORE

Deklarata e Majkos për tregtinë Shqipëri-Kosovë, Besart Kadia: Tërhiqu, je një ndër të paaftët e “Rama II”

Drejtori i Institutit “Pashko”, Besart Kadia, replikon me ministrin e Shtetit për Diasporën për deklaratën e tij se hapja e kufirit Shqipëri-Kosovë pengohet nga biznesmenët. Sipas Kadisë, me këtë qëndrim Majko tregoi se kryeministri i tij është ose gënjeshtar, ose i pafuqishëm, ose i paaftë, ose akoma më keq, i korruptuar.

Në shkrimin e publikuar në ‘Mapo’, Kadia kërkon prej Majkos që të tërhiqet nga deklarata e bërë.

"Paaftësia dhe burokracia e qeverisë shqiptare është e njohur. Por kjo vërtetohet dhe për rastin e shkëmbimit të lirë të mallrave e njerëzve me Kosovën që ju shpreheni i shqetësuar. Pavarësisht mbledhjeve mes dy qeverive Ministria e Ekonomisë së Kosovës akuzon se “vitet e fundit është vërejtur një vëllim i shtuar i vendosjes së barrierave nga ana e Shqipërisë karshi Kosovës”. I nderuar Ministër Majko, këto barriera vijnë për shkak të politikës e qeverisë që Ju përfaqësoni. Po ashtu, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shprehet se “marrëveshjet e bëra në fushën e bashkëpunimit nuk kanë arritur efektet e duhura për shkak të barrierave që vendet iu kanë vënë njëra-tjetrës edhe pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve”. Pyetja që shtrohet është se përse i vendos qeveria këto barriera? Nëpërmjet qëndrimit tuaj, i nderuar Ministër Majko ju po thoni se Kryeministri juaj është ose gënjeshtar, ose i pafuqishëm, ose i paaftë, ose akoma më keq, i korruptuar. Cilado që të jetë e vërtetë nga katër arsyet e mësipërme detyron qeverinë ose ju ministër Majko të tërhiqeni nga mendimi absurd që keni shfaqur se biznesi po mbyt politikën", shkruan Kadia.

Majko në emisionin “Përballë”, te Lutfi Dervishit ne TVSH,  tha se “Pavarësisht se duket sikur po qeveris politika, gjithmonë e më tepër rregullin po e vendos biznesi. Sikur ta vendoste në fokus të interesave ia kisha bërë hallall, por ngandonjëherë vendimmarrja nën lobingun e biznesit është për të qarë hallin dhe nëse ka një pamje të ulët të keqtrajtimit që biznesi po i bën politikës është moslënia e lëvizjes së lirë të njerëzve mes Shqipërisë dhe Kosovës, është në nivelin e krimit”.

 

Të fundit