Flash News

KRYESORE

Deklarata për Kosovën e zv/kryeministrit neo-nazist shkakton tronditje në Austri; reagon Ambasada dhe Hahn, por jo kancelari

Deklarata për Kosovën e zv/kryeministrit neo-nazist shkakton tronditje

Zëvendëskancelari i Austrisë, Heinz-Christian Strache ka tronditur politikën në Vienë, Prishtinë dhe Bruksel për deklaratat e bëra për çështjen e Kosovës. Në një intervistë për gazetën “Politika’, Strache raportohet të jetë shprehur se “njohja e Kosovës është çështje e brendshme e Serbisë dhe do të ishte e gabuar të ushtrohej presion ndaj Beogradit”, deklaratë që bie në kundërshtim me strategjinë e BE-së ku kërkohet që Serbia dhe Kosova të normalizojnë marrëdhëniet midis tyre, duke arritur deri te njohja.

Heinz-Christian Strache, i cili mban gjithashtu detyrat e kryetarit të partisë së djathtë radikale ‘FPO’, dhe të ministrit për Çështjet Civile dhe Sportive, ka thënë se “vetëvendosja për veriun e Kosovës ose autonomia, janë zgjidhje të dëshirueshme”. Ai ka bërë përgjegjëse Prishtinën për mbetjen pezull të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Gjithashtu, mediat serbe raportuan se zv/kancelari ishte shprehur se “Kosova është pjesë e Serbisë”, por ky pretendim u hodh poshtë nga zëdhënësi i tij, Martin Glier.

Për deklaratat e mësipërme ka reaguar Ambasada e Austrisë në Prishtinë, e cila shprehet: ““S’ka ndryshim të qëndrimit austriak karshi Kosovës. Austria është një ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën, dhe që atëherë është një prej mbështetëseve më të fuqishme të Republikës së Kosovës dhe të perspektivës së saj evropiane”.

Këtë deklaratë e ka publikuar në profilin e tij në ‘Twitter’ edhe Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Johannes Hahn, i cili është austriak.

Edhe eurodeputeti austriak i partisë konservatore austriake, ÖVP, Othmar Karas reagoi me zemërim pas intervistës. "Ky sulm i ri kundër rendit të paqes në Ballkan" e bën atë "të tronditur dhe e lë pa fjalë". Ndërsa Lëvizja Paneuropiane e Austrisë thekson se e ka ndjekur "me tundje të fortë koke" thëniet e Straches që "dukshëm i kanë shpëtuar zhvillimet e kohëve të fundit në Ballkan".

Megjithatë, kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz nuk ka reaguar ende për deklaratat e bëra nga zëvendësi i tij dhe partneri në koalicion.

Heinz-Christian Strache i përkiste në fillimet e karrierës së tij grupeve neo-naziste në Austri dhe hyrja e tij në qeveri shkaktoi reagime të forta në Bruksel. Në muajin janar, ai lëshoi një deklaratë të ngjashme kur tha se “Bosnje-Hercegovina nuk mund të funksionojë si shtet dhe se Republika Srpska duhet të shpallë pavarësinë”.

Strache shkaktoi jo pak tension edhe në marrëdhëniet me Italinë kur propozoi që komunitetit gjerman në këtë shtet t’i jepet nënshtetësia e Austrisë.

Peticion në Çeki për të tërhequr njohjen e Kosovës, reagon Ministria e Jashtme në Prishtinë: Është propagandë e Serbisë

Të fundit