Flash News

KRYESORE

I dënuar për pedofili në Shqipëri, skocezi synon lirimin: Dy djemtë po ndalohen të dëshmojnë. Nishani të ndërhyjë

Ndonëse vetëm pak ditë më parë gjykata vendosi që të mos marrë në shqyrtim dëshminë e dy viktimave të abuzimit nga Davie Brown, 66 vjeç, ish-aktivisti skocez shprehet i vendosur për të vazhduar betejën me drejtësinë shqiptare.

Brown është dënuar me 20 vite burg për akuzën e abuzimit me fëmijë të mitur, në qendrën që ai  kishte hapur në Tiranë në vitin 2000. 6 vite më pas ai u arrestua dhe dëshmia e dy djemve A.Q dhe D.A., solli vendimin e gjykatës shqiptare në 2008-ën për të dënuar me burg Brown dhe dy ndihmësit e tij.

Megjithatë, skocezi është shprehur për mediat e vendit të tij se gjykata nuk ka pranuar dëshminë e re të dy djemve, sot 18 dhe 22 vjeç, ku ata theksojnë se janë detyruar nga policia dhe psikologia të gënjejnë vite më parë kundër ish-aktivistit.

Gjykatësi Arben Micko ka deklaruar se prova dhe deklarata të tilla duhet të merren vetëm gjatë hetimeve.

Davie Brown kërkon nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, që të ndërhyjë për çështjen e tij.

Gjykata shqiptare nuk ka dënuar vetëm 66 vjeçarin për këtë ngjarje të tmerrshme por edhe dy persona të tjerë që punonin në qendrën e tij, Dino Christodoulou me 20 vite burg, i dënuar më parë për pedofili në Britaninë e Madhe dhe Robin Arnold me 15 vite burg, të dy të transferuar në Britani.

Të fundit