Flash News

KRYESORE

Depozitoi padi për ’30 qershorin’, Mziu reagon pas vendimit të Gjykatës: Noterizim i paligjshmërisë nga një gjyqtare e paracaktuar

Depozitoi padi për ’30 qershorin’, Mziu reagon pas vendimit

Xhelal Mziu ka depozituar sot një kërkesë në Gjykatën e Tiranës për mosnjohje të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe mandatit të kryebashkiakut të ri socialist të Kamzës, Rakip Sulit.

Kërkesa e Mziut pritej të shqyrtohej nga Manjola Bejleri, në orën 12:00.

Por kjo kërkesë është refuzuar të merret në shqyrtim.

Në një reagim për mediat Mziu shkruan:

“Vendimi i sotëm i Gjykatës së Tiranës duke mos pranuar padinë e një kryebashkiaku në detyrë, të vetmit të ligjshëm deri sa të ketë zgjedhje, ishte noterizim i skandalit të deritanishëm të maskaradës zgjedhore nga KZAZ, KQZ deri në Kolegjin Zgjedhor, në votimet moniste të 30 qershorit.”

 

Reagimi i plotë i Mziut

Drejtësia është vënë në tutelën e Rilindjes, është bërë palë me krimin që e mban në këmbë këtë pushtet dhe ka legjitimuar të paligjshme në procesin farsë të votimeve të 30 qershorit, duke na kthyer pas në diktaturë. Vendimi i sotëm i Gjykatës së Tiranës duke mos pranuar padinë e një kryebashkiaku në detyrë, të vetmit të ligjshëm deri sa të ketë zgjedhje, ishte noterizim i skandalit të deritanishëm të maskaradës zgjedhore nga KZAZ, KQZ deri në Kolegjin Zgjedhor, në votimet moniste të 30 qershorit, në të cilat u shkel çdo lloj standardi. Gjyqtarja sot mbylli sytë qëllimshëm, ose zbatoi urdhrat nga lart, para një maskarade ku dhe juristi më i thjeshtë do të reflektonte dhe nuk do mund të çertifikonte dhe hapte rrugë një procesi antikushtetues, aq më tepër për të mos pranuar një padi. Ky ndodh vetëm me një drejtësi të kapur dhe në shërbim, pasi pranimi i padisë duhet të ndodh edhe për çdo qytetar që shkon në dyert e drejtësisë. Gjyqtarja kamikazë, e paracaktuar, sepse ajo u zgjodh manualisht dhe jo nga shorti elektronik, rrëzoi padinë e kryebashkikut të Kamzës për zgjedhjet e 30 qershorit, pa asnjë argument bindës. Ajo nuk zbatoi ligjin, por urdhërat që i kanë dhënë. Qytetarët e Kamzës nuk do të pranojnë që të drejtohen nga një i zgjedhur me 9 %. Bashkia dhe kryebashkiaku do të vazhdojë punën deri kur në këtë vend të ketë zgjedhje legjitime, të dekretuara nga Presidenti i Republikës, të ketë garë, të jenë të lira dhe të ndershme si dhe të pranohen nga faktori ndërkombëtar si arbitri i vetëm për standardet e plotësuara.

 

Të fundit