Flash News

KRYESORE

Deputeti Agron Shehaj i liston akuzat Veliajt: Pres të më paditësh në Prokurori

Deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj ka reaguar pas vendimit të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj për të paditur këshilltarin demokrat Akil Kraja.

Në rrjetin social Facebook, Shehaj thotë se të bësh opozitë në Shqiëpri rrezikon burgun teksa liston edhe akuzat që opozita i ka adresuar kryebashkiakut Veliaj në këto dy vite.

“Pres të më paditësh në Prokurori, jo sepse nuk i trembem një dënimi të mundshëm, duke patur parasysh që ju, ujqër të vegjël dhe të mëdhenj, kontrolloni edhe Prokurorinë, por për solidaritet ndaj Akilit dhe inkurajim për të gjithë ata që sot kanë frikë të flasin, të denoncojne, apo thjesht të postojnë në Facebook”, shkruan Shehaj.

Postimi i plotë i Agron Shehaj

Të bësh opozitë në Shqipëri rrezikon burgun. Padia e Erjon Veliajt kundër Akil Krajës, sepse ai kreu detyrën e këshilltarit opozitar dhe denoncoi rritjen e çmimit të ujit, është presion i pastër politik për t'i mbyllur gojën opozitës.

Zoti Kryebashkiak, unë mendoj se ti je përgjegjës për vdekjen e minorenit Arditit Gjoklaj në landfillin e Sharrës dhe për mbylljen e emisionit 'Publikus'. Unë dyshoj që ke ndikuar mbi prokurorët që kanë hetuar dhe që për këtë arsye i ke shpëtuar gjykimit.

Mendoj që duhet të sqarosh opinion publik se sa nga ata 20 milion euro (sipas përgjimeve italiane) që harxhoi kryetari i PS së Tiranës, Saimir Tahiri, për fushatë elektorale janë përdorur edhe për zgjedhjen tënde si kryebashkiak.

Pres të më paditësh në Prokurori, jo sepse nuk i trembem një dënimi të mundshëm, duke patur parasysh që ju, ujqër të vegjël dhe të mëdhenj, kontrolloni edhe Prokurorinë, por për solidaritet ndaj Akilit dhe inkurajim për të gjithë ata që sot kanë frikë të flasin, të denoncojne, apo thjesht të postojnë në Facebook.

Turp për Erjon Veliajn!

Jam i vetëdijshëm që do me lëshosh zagarët (të mirë paguar prej teje) që të më shajnë nëpër portale dhe rrjetet sociale, por padia ndaj Akilit na tregon që gjendja është e rëndë dhe duhet që të gjithë të reagojmë.

Të lumtë Akil dhe mos u tremb!

Koha do të të japë të drejtë, dhe këtyre mashtruesve, të pangopur dhe të paturpshëm, që i vrasin natën dhe i qajnë ditën, do t'ju dalë boja një ditë.

 

 

 

Të fundit