Flash News

KRYESORE

Deputeti apel urgjent Belinda Ballukut: Anulo projektin për HEC-in në Gjirokastër, favorizon një ish-ministër të PS

Deputeti i LSI, Vangjel Tavo i ka drejtuar një thirrje urgjente ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku që të anulojë projektin e ndërtimit të HEC-it në fshatin Kolonjë të Gjirokastrës.

Sipas tij, projekti është klientelist dhe do të zhvillohet jashtë çdo transparence institucionale, pa asnjë konsultim me autoritetet vendore.

Madje, Tavo ngre dyshimet se pas këtij rasti mund të jetë ndonjë ish-ministër i kësaj qeverie.

Reagimi i plotë:

Apel ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë,

Shpreh indinjatën time të thellë dhe apeloj për anullimin e menjëhershëm të projektit të ndërtimit të HEC-it në fshatin Kolonjë të Gjirokastrës, pasi jo vetëm që do të dëmtojë burimin e Rehovës, por do të pengojë furnizimin me ujë për banorët e fshatrave të Kolonjës dhe Picarit.

Banorët e këtyre fshatrave do mbeten pa furnizim uji për përdorim të përditshëm por edhe vaditje. Ky projekt cënon furnizimin jetik të ujit për banorët dhe dëmton ekonominë e zonës.

Projekti i HEC-it në Kolonjë është tërësisht klientelist dhe do të zhvillohet jashtë çdo transparence institucionale, pa asnjë konsultim me autoritetet vendore, përkundrazi është një rast klientelist dhe abuzues në favor të miqve të ndonjë ish-ministri të kësaj qeverie.

Apeloj që projekti të anullohet urgjentisht, dhe asnjë sipërmarrës apo njeri me pushtet të mos tentojë të abuzojë me të drejtat dhe burimet jetike të banorëve të kësaj zone të cilët nuk e meritojnë një trajtim të tillë, përkundrazi shquhen për dinjitetin dhe respektin e pashoqë që tregojnë por edhe që meritojnë si nga qeveria ashtu edhe nga sipërmarrësit.

Jam në krah të banorëve të këtyre fshatrave dhe ftoj edhe deputetët e Partisë Socialiste të qarkut të Gjirokastrës të pozicionohen në krah të banorëve dhe të apelojnë për anullimin në mënyrë urgjente të këtij projekti.

Ndaleni këtë padrejtësi.

Urgjentisht.

Të fundit