Flash News

KRYESORE

Deputetja Mehmetaj thirrje qytetarëve: Mos kini më durim dhe as mëshirë për Edi Ramën

Deputetja Mehmetaj thirrje qytetarëve: Mos kini më durim dhe as

Deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj u ka bërë sot thirrje shqiptarëve që të mos kenë më durim dhe mëshirë për Edi Ramën, pasi kryeministri është kthyer tashmë në simbol të shkatërrimit dhe të dhunës.

Nga ‘Unaza e Re’ në Tiranë ku iu bashkua protestës së banorëve, Mehmetaj akuzoi Ramën se po përfiton miliona euro nga projekti korruptiv.

“T’i bashkohen të gjithë qytetarët shqiptarë kësaj proteste, sepse protesta për banorët e Unazës së Re, është protestë për familjet tona, për shtëpitë tona dhe për të drejtat tona themelore”, deklaroi ndër të tjera deputetja.

Reagimi i plotë i Kejdi Mehmetajt:

Siç e shikoni banorët janë sot më të shqetësuar se kurrë. Siç e shikoni janë të rrethuar gjithandej me oficerë të policisë. Marrin në mënyrë të vazhdueshme sinjale, presione, nga institucionet  shtetërore, nga Bashkia e Tiranës duke u trembur se natën mund t’i lënë pa drita, natën mund t’i nxjerrin nga shtëpitë, natën mund t’i lënë pa ujë dhe janë gjithë kohës në vigjilencë sepse çatia e shtëpive të tyre, mund të prishet edhe kur janë në gjumë. Ky është moment që duhet të reagojmë dhe banorët e kësaj zone mos t’i lëmë vetëm. Askujt banori të Shqipërisë dhe në asnjë vend të botës nuk mund t’i mohohet e drejta e tij themelore për  të pasur çati në kokë. Dhe këtë po e bën Edi Rama për të përfituar milionat e eurove nga rruga korruptive që po tenton të bëjë këtu në Unazën e Re. Janë me përllogaritje mbi 20 milionë euro që mendohet që janë nga taksat tona, nga taksat e shqiptarëve, fundi i të cilëve nuk dihet se ku do të shkojë dhe për këtë aferë të tmerrshme korruptive, Edi Rama është i gatshëm që shpirtin e tij t’ia shesë djallit dhe qytetarët e këtij vendi i nxjerr në rrugë në këtë të ftohtë, në prag të Vitit të Ri. Në vend që të festonin me familjet e tyre, përkundrazi do të ngelen rrugëve dhe nuk janë vetëm banorët e Unazës së Re. Sot fadromat po vihen përballë shtëpive të tyre, ndërkohë që është duke shkuar përballë banorëve që ndodhen në zgjatimin e Bulevardit të ri, por më besoni do të jetë pastaj edhe në banorët e tjerë të zgjatimit të kësaj rruge dhe përballë shtëpive të banorëve të gjithë Shqipërisë.

Mos e lejoni më këtë njeri, mos kini më mëshirë për këtë njeri, mos kini më durim dhe as mëshirë për Edi Ramën që është kthyer tashmë në simbol të shkatërrimit dhe të dhunës, por t’i bashkohen të gjithë qytetarët shqiptarë kësaj proteste, sepse protesta për banorët e Unazës së Re, është protestë për familjet tona, për shtëpitë tona dhe për të drejtat tona themelore.

Ju falënderoj!

Të fundit