Flash News

KRYESORE

Deputetja publikon raportin për pastrimin e parave: Në Shqipëri realizohet nëpërmjet ndërtimit dhe hotelerisë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka publikuar të dhënat e Indeksit të Baselit që tregon se Shqipëria nuk ka bërë asnjë përparim në luftën kundër pastrimit të parave. Sipas këtij indeksi, lojrat e fatit, hoteleria dhe ndërtimi janë tre sektorët ku pastrohen më së shumti paratë e pista.

Tabaku akuzon qeverinë e Edi Ramës se përpiqet të maskojë të vërtetat që opozita ka denoncuar prej vitesh për këtë çështje.

Reagimi i plotë i Jorida Tabakut:

Indeksi i Baselit vendos alarmin për pastrimin e parave në Shqipëri!

Ndërsa qeveria dhe mazhoranca akuzojnë në kor opozitën se e ka fajin për cdo të keqe që ndodh në këtë vend, Indeksi i Baselit, treguesi më zyrtar për pastrimin e parave, bëhet raporti i dytë ndërkombëtar që vendos alarmin se në Shqipëri po pastrohen paratë e krimit dhe të drogës. Mbas Departamentit Amerikan të Shtetit, Indeksi i Bazelit, nënvizon edhe një herë Shqipërinë si një vend ku pastrohen paratë dhe që nuk ka asnjë përmirësim të ndjeshëm në raport me një vit më parë. Lojërat e fatit, ndërtimi dhe hoteleria dhe pikat e këmbimit janë fushat kryesore ku kjo ndodh.

Për fatin e keq, raporti nënvizon që Shqipëria është një vend i përfshirë në afera të korruptive dhe pastrimit të parave. Raportet e Bankës së Shqipërisë që flasin për sasi marramendëse të eurove që blihen nga ajo për të sjellë brenda një logjike ekonomike kursin e këmbimit, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit apo edhe ai i EUROPOL si dhe së fundmi deklaratat e zotit Kukan janë disa prej zërave që transmetojnë të njëjtin shqetësim. Shqipëria, sot është kthyer në djepin e preferuar të kriminelëve për të pastruar paratë. Indeksi i Bazelit 2018 nënvizon qartë se Lavatriçja më e madhe në Ballkan jemi fatkeqësisht ne, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë përmirësime të ndjeshme.

Jo vetëm kaq por në renditjen e vendeve me të ardhura të mesme, ne renditemi pranë Venezuelës, Bostauanas apo edhe Meksikës. Një shenjë tjetër domethënëse është se Shqipëria në këtë raport renditet e treta në renditjen për vendet e Ballkanit Perëndimor duke pasur para vetes Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën.

Përditë e më shumë, gjithnjë e më fort raportet ndërkombëtare flasin për të vërtetat që opozita ka vite që i thërret ndërsa qeveria përpiqet të maskojë të vërtetën me gënjeshtrat që fabrikon në zyrat e propagandës. Ndaj mos u shqetësoni kur të dëgjoni të tjera fjalë për një vend që të gjitha raportet ndërkombëtare fatkeqësisht e konsiderojnë lavatriçen perfekte të parave të pista.

Të fundit