Flash News

KRYESORE

Detaje për vrasjen e Marjo Majollarit, policia heton pistën e hakmarrjes, fqinjët lule dhe qirinj në vendin e ngjarjes   

Zbardhen detaje të reja lidhur me atentatin me armë zjarri ndaj 28-vjeçarit, Marjo Majollari, i cili u ekzekutua mbrëmë në zonën e Kinostudios në Tiranë me 4 plumba pistolete.

Sipas të dhënave të para nga policia, pista kryesore ku janë orientuar hetimet është ajo e hakmarrjes, për shkak se babai i viktimës në vitin 2000 kishte vrarë dy persona, Armando Nelaj dhe Ilir Xhuzi dhe pak vite më parë është arrestuar dhe dënuar me burgim të përjetshëm.

Policia ka shoqëruar deri tani 15 persona, mes tyre dëshmitarë të zonës dhe familjarë të dy viktimave të ekzekutuara në vitin 2000. Dyshohet paraprakisht, se vëllai i Ilir Xhuzit mund të ketë lidhje me këtë atentat, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij në Tufinë, policia nuk ka arritur ta gjejë. Sipas dëshmitarëve okularë, autorët pas krimit janë larguar me një makinë drejt Tufinës, çka i shton edhe më shumë dyshimet se vëllai i Xhuzit është pjesë e atentatit.

Marrëdhënia me të atin

Mëngjesin e sotëm në vendin ku u vra mbrëmë Marjo Majollari janë vendosur lule dhe qirinj. Kanë qenë fqinjët ata të cilët të tronditur e në shenjë respekti kanë vënë lule dhe qirinj, në vendin ku Marjo u qëllua me 4 plumba.

Ata e cilësojnë të riun si një person mjaft të rregullt dhe punëtor.

Mësohet se Marjo ka qenë vetëm 2 vjeç kur nëna e tij është divorcuar me atë atin, Avni Majollari, prej të cilit mendohet se është kryer edhe vrasja. Madje, Marjo vitet e fundit kishte kërkuar azil në Suedi, pasi kishte patur sinjale se ndihet i kërcënuar për jetën, por nuk i ishte miratuar.

Të fundit