Detaje të reja nga vrasja në Shkodër; 27-vjeçari u gjet i vdekur tre metra larg “BMW-së”, zbardhen dy pistat kryesore të hetimit

Detaje të reja zbardhen nga vrasja e 27-vjeçarit, Gjin Ndoji.

Mësohet se viktima, i cili humbi jetën pas një goditjeje me plumb në kokë, ishte person me precedent të mëparshëm penal.

Bëhet me dije se, 27 vjeçari përveç aktivitetit të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit dhe trafiqeve të paligjshme, kishte edhe probleme gjakmarrje.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes, ndërsa gjakmarrja dhe veprimtaritë e paligjshme mbeten dy pistat kryesore të hetimit.

Ndërkaq, sipas policisë, në vendin e ngjarjes janë gjetur 4 gëzhoja kallashnikovi, dhe trupi i viktimës tre metra jashtë mjetit “BMW” të marrë me qira.

Informacion paraprak

Më datë 09.08.2020, rreth orës 05:55, në fshatin Shkjezë, Njësia Administrative Bushat, në rrugë, është konstatuar i pajetë, shtetasi Gj. B., 27 vjeç, banues në lagjen “1 Maji”, Shkodër.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.