Flash News

KRYESORE

Dhëmbët e prishur ju rrezikojnë nga këto 4 sëmundje të rënda

Gjakrrjedhje nga dhëmbët, mishra të inflamuara, prishje të dhëmbëve, erë e keqe nga goja – shëndeti i dobët oral nuk është problem vetëm se nuk mund të putheni me të tjerët. Ajo çka ndodh me gojën mund të ndikojë gjithashtu edhe në pjesë të tjera të trupit, ndonjëherë edhe  me pasoja shumë të rënda. Bakteri në gojë mund të përhapet në të gjithë pjesën tjetër të trupit, duke çuar në një sërë pasojash jo fort të mira.

Por, ku shkon ky bakter dhe çfarë problemesh mund të shkaktojë

Shëndeti i dobët oral rrit rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru

Studime të ndryshme kanë treguar një lidhje mes sëmundjes së mishrave të dhëmbëve – njohur si periodontiti – me rritjen e rrezikut për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru. Kjo ndodh sepse i njëjti bakter që shkakton simptomat e periodontitit, si inflamacioni, gjakrrjedhja dhe humbja kockore përreth dhëmbëve – mund të kalojë nëpërmjet enëve të gjakut tek arterit. Ky bakter mund të ngjitet tek muret e arterieve afër zemrës, duke shkaktuar kështu mpiksje të gjakut. Kështu rritet rreziku për mosfurnizim mjaftueshëm me gjak të zemrës. Pasojat? Mpiksja dhe mosfurnizimi me gjak mjaftueshëm në zemër dhe tru mund të çojë në zhvillim të atakut në zemër ose goditjes në tru.

Shëndeti i dobët oral rrit rrezikun për zhvillimin e kancerit

Përveç ënjtjes së mishrave të dhëmbëve, bakteri mund të prekë edhe inde të tjera në trup. Instituti Kombëtar i Shëndetit thekson se inflamacioni është lidhur deri tani me zhvillimin e kancerit, dhe me rritjen e masës tumorale, fillojnë të dëmtohen dhe inflamohen edhe më shumë inde. Inflamacioni mund të jetë përgjegjësi i lidhjes mes sëmundjes së mishrave të dhëmbëve dhe llojeve të caktuara të kancerit. Madje, një studim i ri i publikuar tek revista “Cancer Research” ka zbuluar se disa lloje të ngjashme të bakterit që bëhet shkak për sëmundjen periodontale mund të lidhet gjithashtu me një rrezik më të lartë për zhvillimin e kancerit të ezofagut.

Shëndeti oral rrit rrezikun e zhvillimit të problemeve me prostate

Antigjeni specifik për prostatën (PSA) është një enzimë e prodhuar në prostatë që normalisht sekretohet në sasi të vogla. Por, nëse prostata fillon të inflamohet ose infektohet, rriten nivelet e PSA-së. Meshkujt që kanë indikatorë të sëmundjes periodontale (të mishrave të dhëmbëve) janë më të predispozuar të kenë nivele më të lartë të PSA-së, si dhe më shumë inflamacion të prostatë. Ky problem mund të çojë në një gjendje të quajtur prostatiti, që prek meshkujt e të gjitha moshave. Kjo gjendje mund të çojë në vështirësi në ejakulacion, dhimbje në perineum dhe nevojë urgjente për të urinuar.

Shëndeti i dobët oral rrit rrezikun e disfunksionit oral

Një arsye e mirë përse duhet t’i pastroni dhëmbët me fill dentar: Studimet kanë treguar se ka një lidhje mes inflamacionit sistemik – që mund të shkaktohet nga bakteri që lëviz nëpër gojë – dhe rritjes së rrezikut për zhvillimin e impotencës. Në fakt, një studim i mëparshëm nga Tajvani, ka zbuluar se meshkujt me disfunksion erektil ishin 79% më të rrezikuar që të diagnostikohen me sëmundjen peridiontale kronike.

Si të përmirësoni shëndetin oral?

Me një shëndet oral të mirë, rreziku për zhvillimin e këtyre problemeve të shkaktuara nga bakteret është më i ulët. Nëse nuk keni ndonjë dhëmb të prishur apo nuk keni asnjë problem me mishrat e dhëmbëve, duhet të bëni kontrolle apo pastrime tek dentisti çdo 6 muaj. Nëse keni shenja të periodontitit, si gjakrrjedhje nga dhëmbët kur i lani apo pastroni me fill dentar, probleme me mishrat e dhëmbëve, ose jeni më të prekur nga kavitetet, duhet të bëni vizitë tek dentisti çdo 4 muaj. Mund ta keni dëgjuar këtë më parë, megjithatë është mirë ta përmendim sërish: I pastroni dhëmbët çdo ditë me fill dentar. E dimë që asnjë nuk e ka qejf këtë, megjithatë bën një diferencë të madhe. Dhe mos harroni t’i lani dhëmbët rregullisht të paktën dy here në ditë, sidomos para se të flini.

Men`s Health

Të fundit