Flash News

KRYESORE

Dhuna e gjyqtarëve dhe zyrtarit në Vlorë, reagon FSHF: S’ka tolerancë, autorët do vihen para përgjegjësisë

Dhuna e gjyqtarëve dhe zyrtarit në Vlorë, reagon FSHF: S’ka

Pas ngjarjeve të ndodhura në Vlorë pas përfundimit të ndeshjes, Flamurtari-Vllaznia, ku u dhunua asistenti i parë, Ilir Tartari, ka ardhur edhe reagimi edhe FSHF-së, nëpërmjet një deklarate në faqen zyrtare.

FSHF  është shprehur se dhuna verbale, tashmë e shndërruar në dhunë fizike do të dënohet me forcë dhe nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj klubit të Flamurtarit.

Në reagim FSHF ka kërkuar edhe ndihmën e policisë dhe prokurorisë për të çuar deri në fund zbardhjen e këtij agresioni që organi më i lartë i futbollit në vend e ka konsideruar si të shëmtuar dhe antisportiv.

Reagimi i plotë:

Dhuna e ushtruar të shtunën në mbremje mbi arbitrin dhe zyrtarin e ndeshjes në përfundim të takimit Flamurtari-Vllaznia, në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës ka tronditur mbarë opinionin sportiv si një akt shumë i shëmtuar dhe i dënureshëm.

Ky agresion fizik karshi asistentit të parë të arbitrit, dhe më pas edhe ndaj vëzhguesit të ndeshjes, ka ndodhur në prani të forcave të policisë në stadium, por duke mos e parandalur atë. Ky rast është denoncuar zyrtarisht edhe pranë autoriteteve ligjzbatuese në Vlorë.

FSHF i bën apel Policisë së Shtetit, për të zbardhur të plotë një incident të tillë, ku pas dëshmisë dhe denoncimit të arbitrit të dhunuar përpara Oficerit të Policisë Gjyqësore të veprojë menjëherë në bazë dhe zbatim të ligjit, për të cuar përpara drejtësisë agresorët që zbritën dhe goditën arbitrat dhe zyrtarët e ndeshjes.

Po kështu, organizatori i ndeshjes, klubi i futbollit Flamurtari mban përgjegjësi direkte për mosmarrjen e masave për organizimin dhe mbarëvajtjen e ndeshjes, dhe aq më shumë për ti mbrojtur miqtë në shtëpinë e tyre.

FSHF dënon me shumë forcë dhunën verbale tashmë të shndërruar në dhunë fizike.

Goditja karshi zyrtarëve të ndeshjes mbetet një akt tërësisht antisportiv dhe si i tillë do të ketë zero tolerancë nga ana e Drejtësisë Sportive.

Policia e Shtetit dhe Prokuroria duhet të çojnë deri në fund zbardhjen e këtij agresioni të shëmtuar dhe të vënë përpara përgjegjësisë penale autorët e tij.

 

Të fundit