Flash News

KRYESORE

"Dhuna ndaj publicistit Lela, fakt i pamohueshëm", Dhimitri i drejtohet Lleshajt: Si e justifikoni tejkalimin e forcës nga policia ndaj aktivistëve e gazetarëve?

Në interpelancën e thirrur për të kërkuar shpjegime ndaj Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, deputetja e opozitës parlamentare Fatjona Dhimitri ka thënë se konfrontimet mes artistëve, aktivistëve dhe efektivëve nisën nga ana e policisë.

Dhimitri po ashtu nuk ka nguruar të kërkojë llogari edhe dhunën e ushtruar nga “kriminelët me uniformë”-sipas saj- ndaj mediave dhe gazetarëve, duke sjellë në kujtesë dhunimin e publicistit Alfred Lela në momentin kur ai po mundohej të ndihmonte ish-deputeten Silva Caka, pavarësisht se nuk ishte në dijeni se kush ajo ishte.

“Kanë hyrë në mënyrë barbare, me arme zjarri automatik, duke përdorur gazin lotsjellës, duke hedhur spraj në trupat dhe në fytyrë, duke i goditur gjithandej e duke i arrestuar me 20 policë për person- kjo sipas dëshmisë së një aktiviste të dhunuar prej forcave të policisë. Dhuna e përdorur ndaj publicistit Z. Alfred Lela eshte fakt i pamohueshëm i tejkalimit të forcës prej efektiveve të policisë. Cili ishte agresioni i analistit ndaj policise sipas jush? Për të mos lënë menjanë faktin e shoqërimit me forcë nga tre police femra, duke u përjekur t’i ndrydhin krahët ish deputetes. Zoti Ministër si i justifikoni ju këto akte barbare dhe aspak profesioniste të policisë së shtetit prej së cilës qytetarët presin t’u ofrojë siguri në mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend? Cili është kufiri i dhunës që përdor policia juaj, pasi ju vec termin dhune njihni?”, ka thënë Dhimitri.

Referuar kësaj situate Ministri Leshaj është shprehur se kanë qenë 2 incidente me përfaqësues të medias në 17 maji dhe kjo për shkak se ata kanë penguar policinë gjatë kryerjes së detyrës.

"Policia nuk njeh hierarki në misionin e saj vec ligjit. Atë ditë pati dy incidente me dy përfaqësues të medias, por që nuk kanë qenë në ushtrim të detyrës së tyre, por kanë ndërhyrë dhe kanë penguar me dorë fizikisht policet femra gjatë kryerjes së detyrës, duhet se kjo përbën vepër penale dhe këtë të drejtë nuk e ka as media dhe as ministri”, u shpreh ministri.

 

Të fundit