Flash News

KRYESORE

Dialogu me Serbinë, Raportuesja për Kosovën në PE, von Cramon: Shpresojmë në arritjen e një marrëveshjeje në vjeshtë

Dialogu me Serbinë, Raportuesja për Kosovën në PE, von
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, është shprehur se pret që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të finalizohet me një marrëveshje për njohje reciproke në vjeshtën e këtij viti. Arsyeja e optimizmit të saj është konferenca që do të mbahet në Paris ku palët do të mirëpriten nga presidenti francez, Emmanuel Macron. Përmes një video-mesazhi në Twitter, von Cramon ka thënë se pas takimeve që ka zhvilluar i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak me kryeministrin kosovar, Avdullah Hoti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, dhe pasi blloku evropian të marrë drejtimin, procesi do të mund të shkojë përpara. “Hapi i ardhshëm, dhe më i rëndësishëm, do të jetë mbajtja e një konference në Paris, e iniciuar dhe organizuar nga presidenti (francez, Emanuel) Macron dhe më pas natyrisht, pritjet janë që më në fund do të mund të shohim arritjen e një marrëveshjeje për njohje reciproke përgjatë vjeshtës. Kjo është ajo për të cilën duhet të punojmë me të dyja palët për të arritur këtë rezultat të suksesshëm, deri në fund të këtij viti”, është shprehur ajo. Kujtojmë se, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel. Ky dialog u pezullua nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës vendosën taksë 100% për mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Ndërkohë kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Një ditë më parë, zyrtarët e BE-së kanë thënë se synojnë të vazhdojë përpjekjet për rifillimin e dialogut por në këto plane, nuk e përfshijnë më presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi i cili i ka udhëhequr negociatat me Serbinë në emër të Kosovës për vite me rradhë.  

Të fundit