Flash News

KRYESORE

Digjet ‘Porsche’ i biznesmenit në Elbasan, pronari i arrestuar për lidhje me Avdylajt dhe subjekt i OFL-së

Makina luksoze e një biznesmeni është djegur gjatë natës në Elbasan. Mësohet se, mjeti është i Elis Bahushit, një ish- i dënuar dhe subjekt i OFL-së.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “28 Nëntori”, ndërkaq pavarësisht ndërhyrjes së shërbimit zjarrfikës mjeti ka pësuar dëme të konsiderueshme.

Kujtojmë se, Elis Bahushi është një emër i njohur për drejtësinë. Ai u arrestua në vitin 2018, pasi nga përgjimet telefonike rezultonte i lidhur me grupin Avdylaj nga Shijaku.

Ai është një nga 27 të arrestuarit në tetor 2018, i akuzuar si i përfshirë në ngritjen e laboratorit të përpunimit të heroinës së Brenog të Hasit. Nga hetimet e deri tanishme dyshohet se, 35-vjeçari ka pasur rolin e transportuesit të lëndës narkotike dhe përbërësve të saj nga Turqia drejt vendit tonë. Disa hyrje dalje nga sistemi TIMS, treguan se Elis Bahushi kishte udhëtuar shpesh në Turqi, Maqedoni dhe Kosovë. Organi i akuzës kërkoi informacion nga Turqia se kë kishte takuar Elis Bahushi në Stamboll në datat 25 dhe 26 tetor 2018, ku qenë administruar edhe biletat e tij të udhëtimit.

Po ashtu, Bahushi është tregtar i metrazheve dhe një prej biznesmenëve të njohur në Elbasan, pronar i një kompleksi gjigant bar dhe restorant në lagjen "28 nëntori" dhe i disa dyqaneve në lagjen "Hekurudha". Gjithashtu, ai rezulton pronar edhe i disa makinave luksoze.

Bahushit në 18 gusht iu kërkua deklarimi i pasurive nga OFL-ja, pasi ai ka qenë i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Mësohet se, mjeti i djegur ishte një “Porsche me targë AA 007”, ndërkohë policia ka nisur hetimet për  zjarrvënie të qëllimshme.

[caption id="attachment_417355" align="alignleft" width="310"] Elis Bahushi[/caption]

[caption id="attachment_417379" align="alignleft" width="900"] Porsche i djegur[/caption]

 

Të fundit