Flash News

KRYESORE

Dimri i drogës së madhe

Gentian Gaba

Drogë, drogë, drogë dhe akoma drogë. Dita e Verës nuk erdhi me dallëndyshe, as me verore, por me pranga për 21 shqiptarët e arrestuar sot matanë Adriatikut.

Nuk dihet ende nëse pesëmbëdhjetë milionë euro drogë ishin sasia e fundit e dimrit që shkoi, apo e para e verës që sapo nisi. Ajo që dihet me saktësi është se kjo histori nuk paskërka të sosur. Ajo që ka sosur është vetëm durimi i Kryeministrit ndaj kësaj teme.

U tregua i neveritur në daljen e fundit televizive në prime time, për mënyrën sesi trajtohet kjo temë nga opozita dhe mediat. Sipas tij, në funksion të cënimit të imazhit të Shqipërisë (drogëdrogëdrogëkrimkrimkrim), me qëllim pengimin e procesit të integrimit europian dhe destabilizimin e vendit.

"Dyzet lajme lexova, dyzet herë pështyva", duket sikur thotë Rama.

Sot, në Idet e Marsit, nga radio e vjetër e plakës Nurihan, një zë flet për një operacion të koduar "Shefi". Një operacion italian, me emërtim shqiptar. Provokacja?! Jo, aspak. Operacionet marrin emrin, ose kodin, e fenomenit dhe shënjestrën e tij.

Ky është suksesi më i fundit. Policia italiane flet shqip. Po ashtu edhe motori i kërkimit "google" flet shqip. Mjafton të kryeni një hulumtim me fjalën drogë. Vetëm në katërmbëdhjetë ditët e para të Marsit do të gjeni një sasi marramendëse lajmesh mbi drogën e kapur dhe personat e ndaluar.

Sigurisht, në Shqipëri sasia e drogës së kapur është gjithmonë me e madhe se numri i personave përgjegjës për kultivimin dhe trafikimin e saj, por kjo është një temë tjetër.

A të jetë vallë gjithë kjo drogë e kapur dhe e denoncuar faji i opozitës? Apo ndoshta i mediave dashakeqe?

Le të mos bëhemi kokëfortë, diçka edhe mund të jetë thënë. Opozitat janë të prirura për të parë anën më të errët të çdo fenomeni shoqëror kur nuk janë ato në krye të detyrës.

Apo jo, Griselda?  

Po ashtu edhe media ka një pasion të madh për këto lajme, për ndryshe çfarë kuptimi do të kishte slogani "lajmi i keq është lajm i mirë".

Apo jo Mero?

Problemi është se duke hequr atë efektin pezhorativ të opozitës dhe të medias, droga ka vërshuar si lumë drejt Europës edhe këtë dimër.

Përkundër të qarave në banakun e një zonje (që ai dikur e quante personazh të Narkos), Rama duhet të kuptojë se jemi përballë një fenomeni shumë të thjeshtë dhe logjik: Secili korr atë që mbjell!

Mohimi patologjik, që ka shënuar raportin midis mazhorancës dhe drogës në këto tre vite, nuk është largë interpretimit që ky fenomen gëzon në fushën e psikanalizës; një mekanizëm mbrojtës me të cilin subjekti mohon realitetin. Për këtë arsye turfullon në daljet e tij mediatike, ndoshta për të njëjtën arsye duhet të braktisë banakun e ekraneve televizive për divanin e një psikologu. Një të mirë, ama.

Nga ai divan duhet të pranojë se sot në mëngjes nuk u zgjua nga aroma e gjalpit të ballokumeve, por  nga lajmet mbi operacionin "Shefi", ku njëzet e një shqiptarët e arrestuar nuk ishin as opozitarë dhe as gazetarë që kërkojnë t'i nxijnë faqen Shqipërisë.

Pranimi do të ishte hapi i parë drejt shërimit. Rama nuk e bën dot sepse tonelatat e drogës të kapur dhe trafikuar e zënë nën të; ashtu siç kanë zënë ekonominë, e cila është droguar nga paratë e pista (sot euro këmbehet me 131,71, meqë ra fjala).

Për gjithë këto arsye, nuk ka retorikë propagandistike nga ana e qeverisë, mënjanim përgjegjësie nga ana e Ramës, ose akuza të dëmshme ndaj mediave dhe Opozitës, që mund të mbulojë dështimin në luftën ndaj një problemi thelbësor për zhvillimin e vendit, siç është lufta kundër drogës dhe krimit.

"Shërimi" është i vështirë edhe kur diagnostifikohen mirë problemet që e sjellin atë, dhe jo më kur personat që kanë për detyrë të ndërmarrin këtë betejë, janë të verbër ndaj rolit të tyre si një ndër pengesat kryesore.

"Megjithatë, ç'dimër që ishte."

 

Të fundit