Flash News

KRYESORE

Diplomati shqiptar: Tentativa e grushtit të shtetit në Mal të Zi nga agjentë rusë që do hynin nga Shqipëria

Diplomati shqiptar: Tentativa e grushtit të shtetit në Mal të Zi

Diplomati Shaban Murati ka publikuar në “Gazetën Shqiptare” një artikull ku flet për alternativën e re që Rusia ka paraqitur për Ballkanin.

Ndër të tjera, Murati komenton edhe tentaviën për grusht shteti në Mal të Zi gjatë zgjedhjeve në tetorin e 2016-ës. Sipas tij, agjentët rusë dhe serbë që do merrnin pjesë në grushtin e shtetit do të hynin nga kufiri shqiptar, çka tregon se Moska ka mbështetje të madhe në Shqipëri.

“Është mirë të kujtohet edhe shteti, edhe lexuesi, se disa grupe diversioniste dhe terroriste të shërbimit sekret rus dhe serb, pjesëtarë në përpjekjen për grusht shteti në Mal të Zi gjatë zgjedhjeve në tetorin e vitit të kaluar, do të hynin në territorin malazez nga Shqipëria, çka tregon se ata kishin një mbështetje edhe në territorin shqiptar”, shkruan diplomati.

Murati argumenton se Moska e konsideron të ezauruar fazën e parë të planit për ndërhyrjen në Ballkan me provokimin dhe organizimin e krizave politike.

“Kremlini e quan të ezauruar fazën e parë të planit të tij ballkanik të ndërhyrjes në rajon. Kjo fazë e parë përfshinte provokimin dhe organizimin e krizave politike dhe të tensioneve të brendshme të njëkohshme në jetën politike, ekonomike, sociale, mediatike, akademike, dhe elektorale të vendeve të rajonit tonë. Për hir të së vërtetës duhet pranuar se Rusia ka pasur sukses në këtë drejtim dhe këtë e provon situata e paqëndrueshme politike në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë. Nuk është e rastësishme vala e papritur e antiamerikanizmit, e antiatlantizmit dhe e antieuropianizmit, që u ngrit në mënyrë të njëkohshme në Maqedoni, në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, etj”, shprehet Murati.

Murati thekson se Rusia po angazhohet në ndërhyrjen në jetën elektorale dhe përplasjet politike në vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, si dhe po përgatitet për dislokimin e celulave profesioniste në këto shtete.

“Drejtimi tjetër i ri i ndërhyrjes dhe i sponsorizimit rus të shtrimit të rrugës për alternativën ruse është fenomeni i ri i ndërhyrjes në jetën elektorale dhe në përplasjet politike elektorale dhe paraelektorale. Kjo konstatohet në Maqedoni, Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë, etj. Qëllimi rus është që udhëheqës partish apo forca politike ballkanike të korruptuara ta shohin shpëtimin nga ligji dhe nga ndëshkimi tek alternativa ruse, dhe Moska të ndërhyjë në proceset elektorale, që në pushtet të vijnë politikanë apo forca politike, që kanë kokën dhe zemrën te Rusia.

Oferta e Moskës për një alternative ruse në vend të alternativës së integrimit euroatlantik shënon kalimin në një fazë të re më të intensifikuar të veprimtarisë dhe të strategjisë ruse në rajonin tonë. Logjika e ngjarjeve çon në mendimin se duhet pritur një shkallëzim i ndërhyrjes së Rusisë në shtete të ndryshme të rajonit, me një sponsorizim akoma më të madh të grupeve politike, ekonomike, mediatike, shoqërisë civile, etj. me prirje pro ruse. Sipas burimeve serioze, duhet pritur një dislokim më i madh i njësive dhe celulave profesionale ruse apo të mercenarëve rusë të diversionit dhe të luftës hibride në shtetet e veçanta të Ballkanit, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Paraqitja e alternativës së re ruse duhet ndjekur me kujdes, sepse paralajmëron për forma më të sofistikuara të ndërhyrjeje në secilin shtet ballkanik, përfshirë edhe Shqipërinë”, shkruan diplomati Shaban Murati.

Të fundit