Flash News

KRYESORE

Diskutimet e Metës me ish-presidentët për ‘detin’. I panjohur qëndrimi Rexhep Meidanit; çfarë kanë deklaruar Berisha, Moisiu, Topi dhe Nishani

Diskutimet e Metës me ish-presidentët për ‘detin’. I

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka pritur dje dhe sot ish-presidentët për të diskutuar për marrëveshjen e detit me Greqinë. Kjo lëvizje e Metës erdhi pas kërkesës së ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, për plotfuqinë për zhvillimin e negociatave.

Ndonëse diskutimet në Presidencë nuk janë bërë publike, pothuajse të gjithë ish-presidentët, përveç Rexhep Meidanit, i kanë bërë publike qëndrimet e tyre. Meidani nuk ka bërë asnjë deklaratë dhe nuk ka mbajtur asnjë qëndrim për këtë marrëveshje të re midis dy vendeve.

Dy ish-presidentët, Sali Berisha dhe Bujar Nishani, janë shprehur hapur kundër marrëveshjes së re, madje duke arritur deri në paralajmërimet për konflikt të ri rajonal. Bamir Topi ka kërkuar transparencë nga qeveria për negociatat, ndërsa Alfred Moisiu është shprehur se praktika e 12 miljeve nuk mund të zbatohet në kanalin e Korfuzit.

Sali Berisha: Kush mendon se deklarata e ministrit grek është propagandë, e ka gabim. Me këtë vendim Edi Rama i ka dhënë Greqisë rezervat më të mëdha të gazit dhe të naftës në Jon. Kjo s’mund ta kalojë pa kaluar mbi trupat tanë. Edi Rama do ta paguajë me të gjitha çmimet e merituara nëse kërkon të realizojë një marrëveshje të tillë.

Alfred Moisiu: E dini ju sa është ngushti e Korfuzit?! Nga 3 km deri në 25 km, që i bie 1.6 milje detare deri në 14 milje. Pra problemi i 12 miljeve është një problem kot sepse nuk mund të aplikohet. Po si do të aplikohet në Korfuz për shembull? Këtu pastaj është mesatarja, por këtu është e gjithë hileja, që nuk mund të merren të gjithë shkëmbinjtë e detit, por duhet të merren sipas ligjeve. Për shembull zgjidhje e këtyre problemeve me Italinë në atëkohë ka vazhduar 7-8 vjet. Këtu është puna që për zgjidhjen e këtij problemi është plotësisht e mundshme. Unë kam një vërejtje për gjithë drejtuesit politik shqiptarë, por në mënyrë të veçantë për ministrat kryesorë. Mirë është që ata të kenë një këshill të urtësh, njerëz që e njohin problemin dhe ata duhen dëgjuar, duhen mirëkuptuar dhe sigurisht vendimin ta marrë ai që e takon.

Bamir Topi: Së pari kam përshtypjen që po keqinterpretohet detyra kushtetuese e qeverisë, për një çështje të ndjeshme, si çështja e sovranitetit dhe delimitimit të kufijve. Në mënyrë absolute duhet hequr ideja se historia fillon me Edi Ramën kryeministër. Është e gabuar të thuhet se ne jemi futur në një çështje akute që e detyron qeverinë të zgjidhë problemet e 70 viteve, sepse e gjithë politika shqiptare është marrë me këtë problem. Janë pesë presidentë gjallë dhe një i gjashtë është në detyrë. Shqipëria nuk ka Senat për të korrigjuar gabime politike, në këto kushte, nuk e ke shansin që t’i bësh gjerat në mënyrë personale dhe në kushtet totale të transparencës. Ne po kërkojmë transparencë për gëjra që ndodhin rëndom përditë, e jo më për gjëra të interesit kombëtar që duhet të jetë në transparencë të plotë dhe plotësisht të qartë. Është e papranueshme, sepse gjatë gjithë bisedimeve shohim një ministër të jashtëm vetëm duke kërcyer dhe nuk zbaton detyrimin e parë të transparencës publike: ka qeveri, ka opinion publik. Nëse e marr informacionin nga ministri Kotzias në atë formë, ç’mund të presësh.

Bujar Nishani: Nëse lajmi i medias greke është i vërtetë ky akt i qeverisë aktuale shqiptare do të përbënte aktin më të lartë të tradhëtisë kombëtare që nga themelimi i shtetit shqiptar në 1912. Ky akt i padrejtë do të hapte një konflikt të ri e të panevojshëm historik midis dy vendeve me pasoja rajonale. Me një arrogancë ekstreme Qeveria Shqiptare mban sekret marrëveshjen dhe nuk bën me dije asnjë informacion nga kjo marrveshje e negociuar dhe përfunduar sipas Minisrit të Jashtëm të Greqisë para pak kohësh dhe medias greke sot. I bëj thirrje opozitës shqiptare të kërkoj transparencë të plotë për të gjithë proçesin e negociatave dhe rezultatin e arritur për këtë çështje. Në këtë rast opozita ka një përgjegjësi historike. Shpresoj shumë që media dhe intelektualët shqiptarë të mos heshtin në bashkëfajsi!

Të fundit