Flash News

KRYESORE

Dita Europiane e Viktimave të Nazizmit e Stalinizmit, Basha: Nuk mund t’i shmangemi përgjegjësisë për dënimin e komunizmit

Dita Europiane e Viktimave të Nazizmit e Stalinizmit, Basha: Nuk mund

Me rastin e përkujtimit të Ditës Evropiane të Viktimave të Nazizmit e të Stalinizimit që dënon çdo formë të totalitarizmit, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha shkruan përmes një statusi në “Facebook” se 100 milionë persona gjetën vdekjen nga komunizmi, të vrarë direkt për qëllime politike ose të vdekur si pasojë e mjerimit që komunizmi solli.

Sipas Bashës jetët e humbura dhe të shkatërruara nga stalinizmi shqiptar janë një akuzë e rëndë për shoqërinë tonë që nuk i dënoi asnjëherë.

“Ne nuk mund t’i shmangemi përgjegjësisë për dënimin e komunizmit, jo vetëm si detyrim moral ndaj viktimave të tij, por edhe si e vetmja mënyrë që të krijojmë një shoqëri të vërtetë të lirë dhe demokratike” shkruan Basha.

Statusi i Bashës:

Gati 100 milionë persona gjetën vdekjen nga komunizmi, të vrarë direkt për qëllime politike ose të vdekur si pasojë e mjerimit që komunizmi solli për miliona njerëz.

Në librin e errët të komunizmit, Shqipëria zë një vend të veçantë për nga egërsia kriminale e Enver Hoxhës dhe bandës së tij kundër popullit të tyre. Dhjetëra mijë shqiptarë humbën jetën nga dhuna e regjimit komunist shqiptar, të ekzekutuar me e pa gjyq dhe të vdekur në burgje. Qindra mijë u burgosën politikisht dhe u internuan në kampe. Një popull i tërë u izolua për afro gjysëm shekulli në karantinën më mizore të mjerimit, shtypjes dhe trushpëlarjes në Europë.

Sot, në Ditën Europiane të Kujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, jetët e humbura dhe të shkatërruara nga stalinizmi shqiptar janë një akuzë e rëndë për shoqërinë tonë që nuk i dënoi asnjëherë plotësisht vrasësit dhe kriminelët komunistë, që nuk reflektoi seriozisht kundër ideologjisë, frymës dhe mentalitetit komunist e nuk i preu asnjëherë rrugën kthimit të komunistëve në pushtet.

Është e dhimbshme që ne nuk kemi ende një monument të vërtetë për viktimat e komunizmit, dhe nuk kemi ende një histori të vërtetë të krimeve të komunizmit. Ne nuk mund t’i shmangemi përgjegjësisë për dënimin e komunizmit, jo vetëm si detyrim moral ndaj viktimave të tij, por edhe si e vetmja mënyrë që të krijojmë një shoqëri të vërtetë të lirë dhe demokratike. Ky është mision i pambaruar, por i palëkundër i Partisë Demokratike.

 

Të fundit