Flash News

Ditari i Maxhorancës

200 studentë shtesë te mjekësia/ Manastirliu e ‘shet’ si sukses, por 'harron' që e zgjedhin për të emigruar

200 studentë shtesë te mjekësia/ Manastirliu e ‘shet’

Në nisje të vitit të ri akademik, ministrja Ogerta Manastirliu ishte e pranishme në Universitetin e Mjekësisë, ku tha se në degët e infermierisë dhe mjekësisë janë regjistruar 200 studentë më shumë.

“Ne duam jo thjesht të rrisim numrin e studentëve në universitete, por gjithashtu të përgatitemi për t’i bërë ballë asaj që do të jetë e nesërmja, në funksion të plotësimit të nevojave me mjekë, me infermierë, me teknikë të shkencave mjekësore aq shumë të nevojshëm për të ardhmen tonë”, tha ndër të tjera ministrja.

Manastirliu këtë e cilësoi sukses, por vlen për t’u theksuar fakti që këto degë studimi janë të preferuara për shkak të mundësive të mëdha për punësim jashtë vendit.

Me mijëra të rinj me profesione në fushën e mjekësisë e kanë braktisur vendin vitet e fundit për të punuar e jetuar në vende të ndryshme të Europës, kryesisht në Gjermani.

Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve dhe infermierëve për frymë në Evropë. Numri i infermierëve që janë larguar nga Shqipëria në vitin 2021 është pothuajse i njëjtë me numrin e atyre që kanë marrë licencën për të ushtruar këtë profesion.

Pandemia në vitet 2019 dhe 2020 duket se frenoi largimin e infermierëve, por gjatë vitit të kaluar ky numër thuajse u trefishua. Çdo vit afërsisht 130-150 mjekë largohen nga Shqipëria për të punuar apo për t’u specializuar jashtë. Në gjithë Evropë ka rreth 3 800 mjekë Shqiptarë mes tyre edhe të lindur jashtë vendit. Në Shqipëri aktualisht ka 110 mjekë për 100 mijë banorë, trefish më pak se mesatarja Evropiane.

 

 

 

 

Të fundit